“Po a dolëm të parët, ku ka më lartë se vendi i parë?”! Debati i ashpër Dede-Starova: Mbrojtësit të mos jenë me horror, trajner le të jetë Hamdi Salihi dhe Bulku…

Tema e Kombëtares është prekur në emisionin “Skaner” që transmetohet në “MCN TV”. Një debat i ashpër ka ardhur nga Starova dhe Dede. Ky i fundit është shprehur se Shqipëria duhej të merrte maksimumin e pikëve që në Ligën e Kombeve. “A i kemi marrë maksimumin këtij grupi? Kjo është pyetja që duhet shtruar. Ja një pyetje tjetër, kush ishte më mirë ndaj Andorrës, Hoxhallari apo Dërmaku? Mua më duket më mirë, Hoxhallari. Përse hyri Dërmaku në Ëembley kur ishte i dëmtuar dhe nuk kishte minuta në këmbë? Në Ligën e Kombeve ne kemi marrë vendin e parë, por nuk ishte sukses. Sukses do të ishte nëse e mbyllnim me pikë të plota dhe do të shkonim në Play-Off, se na mundi Lituania këtu”, tha Dede.

E menjëhershme ishte kundërpërgjigja e Starovës: “Po vendin e parë e mori në Ligën e Kombeve, çfarë të bënte më tepër, di ti ndonjë gjë tjetër që është më lartë se vendi i parë? Për mua futbollistët tanë duhet të rriten, se ndonjëherë bëjnë gabime horror. Kumbulla është i mirë, do të bëhet më i mirë, por duhet të rritet, ka shumë nevojë që të rritet. Ka bërë shumë gabime deri tani, vetëm Gjimshitin e ke bazë. Ne kemi nevojë që të rriten futbollistët tanë. Jam i kënaqur nga Reja, por për shkakun e moshës duhet të iki. E kur të iki duhet të vijë një trajner si Salihi dhe Bulku që kanë qenë pjesë e Shqipërisë A në gjithë këtë kohë. Ose nëse vjen një trajner i huaj, të ketë lidhje të ngushtë me ta. Nëse vjen një trajner me staf tjetër do të fillojë të kërkojë një vit kohë sa të njihet me grupin dhe kështu vazhdon historia”, tha Starova. /Sport Ekspres/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *