Armando Broja u kthye në një çështje shumë të diskutuar pas ndeshjes me Anglinë. Shumë zëra do të lindnin pas vendimit të trajnerit për ta ulur në tribunë, duke u hedhur hipoteza e një përplasjeje mes tyre. Për të sqaruar njëherë e mirë këtë situatë ka folur një person i brendshëm i kampit kuqezi. Sokol Cikalleshi është shprehur në një lidhje me “Procesi Sportiv” se Broja ishte i dëmtuar dhe për këtë arsye u la në tribunë, ndërsa me Andorrën mungon sepse si gjithë lojtarët e tjetër të lënduar është thirrur nga klubi për t’u rekuperuar. Ndërkohë kavajasi vlerëson në maksimum aftësitë e sulmuesit të Southampton-it, të cilin e sheh si liderin e Kombëtares për 10-15 vitet e ardhshme.
“Do jem i sinqertë dhe nuk është e mirë për mendimin tim që është zmadhuar kaq shumë kjo çështje. Vlerat e Brojës dihen tashmë. Për mendimin tim nga vitet e fundit është një potencial që mund të na bëjë ne që të jemi krenarë për të. Vlerat në fushën e lojës dihen dhe nuk kemi çfarë të flasim. Ne jemi një grup i cili nuk ka lojtarë që brenda nesh ka inate. Broja është mes ndesh, do jetë mes nesh. Mendojë që do jetë në të ardhmen ndoshta 10-15 vite lideri i Kombëtare. Ai ka qenë i dëmtuar, pastaj erdhi. Nuk e di çfarë ka folur me trajnerin, por di që ka pasur një dëmtim. Këtë të gjithë e dimë, sepse nuk erdhi në grumbullimin që kishim në Shqipëri.
Tani është kthyer te ekipi, po rekuperohet. Uroj të bëjë mirë atje. E ka nisur mbarë. Do jetë patjetër pjesë e Kombëtares, kjo aq që diskutohet. Pse jo vendi është aty, për lojtarë të tillë që jemi të gjithë krenarë. Broja nuk ia merr vendin as Cikalleshit, as Roshit, as Uzunit, askujt. Gjithsekushi ka atë pjesën, që ndoshta edhe Zoti ia ka bërë kismet për të pasur atë lloj suksesi. Kështu që ne jemi të gjithë bashkë për të ndihmuar njëri-tjetrin absolutisht në çdo lloj momenti. Një ditë përpara ndeshjes ne prisnim të gjithë të kishim të reja nga Broja. Ka bërë pak stërvitje një ditë para ndeshjes.
Kur bëmë mbledhjen para ndeshjes trajneri tha që do jetë në tribunë sepse ngaqë ka qenë i dëmtuar dhe ka ardhur vetëm një ditë para. Dua ta sqaroj shumë mirë këtë sepse nuk dua që Kombëtarja të ketë zëra apo flluska të tilla që ndikojnë negativisht. Të dëmtuar kanë qenë edhe Kumbulla, edhe Bare dhe vetëm unë pata shansin që edhe pse i skualifikuar të rrija me ekipin. Të gjithë kanë qenë të thirrur nga ekipet e tyre për të bërë terapitë dhe gjërat e nevojshme për të kaluar dëmtimet. E njëjta gjë edhe me Brojën”, është shprehur Sokol Cikalleshi./Halit Delibashi-Sport Ekspres/