Anglia ka arritur që të fitojë me shifrat 5-0 ndaj Shqipërisë në Ëembley. Sikur të mos mjaftonte mungesa e Gjimshitit dhe lënia në tribunë e Brojës, brenda pak minutash do të na dëmtohej Marash Kumbulla dhe Keidi Bare.
Kështu situata do të dilte nga kontrolli dhe në pjesën e parë, kuqezinjtë u dorëzuan totalisht ndaj rivalit. Menjëherë pas përfundimit të takimit, Southgate ka vlerësuar 45 minutat e para të ekipit të tij dhe njëkohësisht kundërpërgjigjen e marrë pas gabimit me Hungarinë.
“Ishte një paraqitje shumë e mirë e ekipit tonë, sidomos në pjesën e parë. U zgjuam nga ajo ndeshje e fundit me Hungarinë dhe ishim të balancuar, ishim shumë të fortë në 45 minutat e para, sidomos me cilësitë individuale.
Ishte një fitore edhe në aspektin fizik, ishim më të mirë në kontroll të topit, por 45 minutat e para ishin futboll fantastik për ne. Mësuam nga gabimet me Hungarinë, e dinim mënyrën sesi do të luante Shqipëria, që janë të ashpër me mbrojtësit e tyre dhe sesi duhej t’i shfrytëzonim hapësirat që ata linin, e bëmë shumë mirë”, tha Southgate.
Nga krahu tjetër ishte Maguire, autori i golit të parë që ka vlerësuar Shqipërinë: “Ne e theksuam që para ndeshjes se duhej ta nisnim sa më mirë. Ishte një paraqitje e shkëlqyer dhe e bëmë ne Shqipërinë që të duket e dobët. Ata e kanë treguar veten me rezultatet e fundit dhe vendin se ku janë në tabelë se mund t’i shkaktojnë probleme ekipeve”, tha Maguire. /Sport Ekspres/