Edi Reja do të luajë për herë të parë një ndeshje në karrierën e tij si trajner, por edhe si ish-lojtar, në mitikun “Uembli”. Trajneri italian do të udhëheqë Shqipërinë me një mision në dukje të pamundur, të mposhtë Anglinë përpara 90 mijë tifozëve. Në një intervistë të dhënë për mediat italiane, Reja tregon se debutimi në këtë stadium është një çmim për pasionin e tij, ndërsa sa i përket ecurisë së Shqipërisë, penalltia e mohuar me Poloninë dhe mungesat e shumta në ndeshjen e kthimit me ta i kanë penalizuar së tepërmi për të tentuar nëj vend në “play off”.
“Unë kam qenë vetëm një herë në “Uembli”, si vëzhgues. Në Londër kalova vetëm një fundjavë, falë vajzës sime Elizabeta, por profesioni dhe pasioni për detin më kanë mbajtur gjithmonë larg ishullit britanik.
Burimet ekonomike dhe të huajt, lojtarët dhe teknikët, kanë lejuar që kampionati anglez të bëhet më interesanti në botë. Ka kampionë të mëdhenj në Premier League, por edhe në kohën time ka pasur futboll të nivelit të lartë. Mendoj për Bobby Charlton, George Best dhe atë mesfushor të ashpër, Stiles. Shqipëria? Ne ishim të pafat në ndeshjet me Poloninë mes mungesave në lidhje me Kovidin dhe penalltisë të mohuar.
Debutimi në Uembi në moshën 76-vjeçare? Çmim për pasionin. Pas Katanias, në vitin 2003, kisha vendosur të largohesha. U regjistrova në kurs për të marrë një licencë detare. Doja të shkoja rreth Adriatikut me varkë: bregdeti kroat është fantastik. Një mbrëmje mora një telefonatë nga Cellino: ai më ofroi Cagliarin. Unë nuk pranova, doja të shijoja detin, por po atë natë më telefonoi dhe të nesërmen firmosa kontratën. Karriera e rifilluar: Napoli, Lazio, Hajduk, Atalanta, Shqipëria. Më pëlqen trajnimi, je në kontakt me të rinjtë dhe je i lidhur me botën”, është shprehur Edi Reja./Halit Delibashi-Sport Ekspres/