Menjëherë pas përfundimit të takimit mes Engatias dhe Vllaznisë, trajneri Brdariç shpjegoi rezultatet negative të skuadrës. Gjermani ka thënë se mungesa e infrastrukturës sa i përket stërvitjes po ndikon që ekipi të mos ketë rezultatet e duhura. Ndërkohë i ftuar në “Rubrika Sportive” që transmetohet në “RTSH”, Alban Xhaferi i kujton me të drejtë trajnerit se këto kushte kanë qenë edhe në sezonin e shkuar, ku historia e rezultateve ishte tjetër.
“Fushat e stërvitjes në Shkodër janë problematike. Jam dakord me deklaratën e Brdariç për infrastrukturën. Gjithsesi, ka projekte, ka plane për të përmirësuar kushtet e stërvitjes. Nga ana tjetër, trajneri është pjesë e këtij realiteti, kemi një vit e gjysmë me këto kushte, ne këtu jemi dhe po mundohemi të bëjmë më të mirën.
Trajneri është pjesë e jona, e ka kuptuar realitetin, e ka pranuar këtë, trajneri duhet të punojë për të arritur rezultatet. Diskutimi për infrastrukturën mendoj se është një justifikim. Rezultatet janë të rëndësishme për trajnerin dhe për të gjithë ne.
Latifi? Është pjesë e rëndësishme e Vllaznisë, është një nga lojtarët më të mirë të kampionatit shqiptar. Mendoj se e ka kuptuar se ka bërë një veprim të nxituar. Ai është një lojtar shembullor, qëllimi jonë nuk është që të kalojmë te masat ekstreme”, tha Xhaferi. /Sport Ekspres/