Berat Gjimshiti! Besnikërinë na e tregoi kur të gjithë u larguan pasi nuk morën ftesën e Europianit, por mbrojtësi nuk i ndërroi ngjyrat kuqezi. Më pas u kthye në liderin e Kombëtares, jo vetëm moral, por edhe me aftësitë e treguara në fushën e lojës.
I vetmi futbollist shqiptar që ka pasur vazhdimësi në këto dy vite të fundit dhe nuk ka njohur lëkundje. Për të kuptuar se në çfarë niveli ka ardhur dashuria për të, duhet parë rasti i fundit.
Reja ka publikuar listën dhe në të mungon Gjimshiti. Ky i fundit ka luajtur për 45 minuta ndaj Manchester United dhe ishte në nivel të lartë. Por dëmtimi i fundit në ndeshjen me Hungarinë i kushtoi jo pak duke humbur ndeshje të rëndësishme me Atalantën në Serinë A dhe Champions League.
Duke parë faktin se Shqipëria nuk ka më shanse për vendin e dytë dhe Gjimshiti do të rrezikonte jo pak nëse vinte sërish te Kombëtarja, askush nuk ngre polemika për këtë rast, me shumë të drejtë. Dashuria për Gjimshitin është vetëmohuese, e mira e tij është parësore dhe është e përgjithshme, për të gjithë ne. Fundja, i jemi ende pak borxhlinj këtij njeriu për atë që ka dhënë dhe marrë deri tani nga Kombëtarja. Nëse do t’i ndodhte diçka karrierës së tij për “fajin tonë”, do të ndiheshim keq. /Sport Ekspres/