Oshilacionet nga njëri sezon në tjetrin janë bërë të zakonshme në futbollin shqiptar. Kapërcimi nga suksesi në dështim apo anasjelltas është një fenomen që po e hasim gjithnjë e më shumë në Superiore. Rritja e vazhdueshme është diçka që na ndodh rrallë ta shohim, teksa pikërisht atëherë kur një ekip ngre pritshmëri të mëdha vjen edhe zgjënjimi.
Objektivat në fillim të sezonit janë ato çfarë e vr.asin suksesin te klubet shqiptare, të cilat duket se nuk rezistojnë gjatë për t’ju “gjunjëzuar” presionit. Të gjendur pa objektiva maksimale të deklaruar sezonin e shkuar, si Partizani ashtu edhe Vllaznia thyen çdo pritshmëri dhe luftuan deri në fund për të bërë të tyrin titullin kampion.
E në vazhdën logjike të asaj çfarë prodhuan një sezon më parë, në këtë edicion të ri pritshmëritë ngrihen lart dhe klubet me të drejtë hapin kartat e tyre që në shtator për të synuar trofeun e Superiores. Por fusha këtë herë po tregon një fytyrë tjetër nga ç’jemi mësuar të shohim prej këtyre skuadrave, aq sa titulli duket sikur mbetet në kuadrin e një dëshire se sa të një objektivi real e të arritshëm.
Në të njëjtën situatë ndodhet edhe Laçi apo Dinamo, të cilat pavarësisht se investuan dhe krijuan një grup konkurues, nuk po dalin në rrugën që kishin menduar përpara nisjes së kampionatit. I vetmi rast përjashtues është Teuta, që si kampiona në fuqi, po tregon se potenciali për të mbërritur te trofeu i dytë radhazi ekziston dhe do të jetë aty për ta synuar deri në fund. /Halit Delibashi-Sport Ekspres/