Vllaznia e këtij sezoni nuk po bind në fazën mbrojtëse, ku numri i golave të pësuar është i lartë për një ekip që synon titullin kampion. Sipas Astrit Hafizit, për këtë fakt përgjegjësia i takon Brdariçit. Në studion e emisionit “Gol pas Goli“ në “Supersport“, ish-trajneri shkodran ka komentuar ecurinë e kuqebluve pas përfundimit të takimit me Tiranën.
Hafizi i jep meritat Brdariçit për sezonin e shkuar, por në këtë edicion të ri e sheh tërësisht përgjegjësi të tij lojën dhe rezultatet që Vllaznia po merr në këto javë të para. Një pjesë të këtyre fjalëve ka zgjedhur t’ja thotë edhe përballë trajnerit kroato-gjerman, që së bashku me analizën e veçantë të ndeshjeve të zhvilluar deri më sot kanë sjellë edhe nervozizmin e këtij të fundit.
“Sezonin e kaluar padyshim ka meritë Brdariç. E mori skuadrën ashtu si e mori, duke luftuar me Luftëtarin e me Flamurtarin për të rënë nga kategoria. Sot nuk diskutohet një gjë e tillë dhe këtu i takon merita Brdariçit. Por nëse sezonin e shkuar i kemi thurur elozhe, këtë sezon mban përgjegjësi. Nuk mund të luajnë lojtarët sipas qejfit, siç luan Adili apo disa të tjerë. Këtë vit Brdariç mban përgjegjësi dhe të madhe majde”, ka thënë Astrit Hafizi./Halit Delibashi-Sport Ekspres/