Roma mori një nga humbjet më të turpshme në historinë e saj mbrëmjen e djeshme, teska u mposht 6-1 kundër modestëve të Bodo/Glimt. I tillë rezultat është i pari që ndodh në karrierën e Murinjos, i cili gjithnjë e më tepër i largohet lavdisë së dikurshme. Mrekullia që bëri me Porton në fillimet e tij si trajner e katapultoi menjëherë në majat e futbollit, duke mbajtur për vite me radhë fronin e më të mirit në rolin e tij. Fron të cilin duket se e ka lëshuar prej kohësh.
Pas aventurës jo të mirë me Mançester Junajtid e ndoqi një tjetër eksperiencë negative me Totenhemin, nga ku u shkarkua për mungesë rezultatesh. Do të mungonte vetëm disa muaj për të ardhur më pas në krye të Romës. Në kryeqytetin italian shpresat ishin të mëdha, por kjo humbje poshtëruese ka ngritur shumë pikëpyetje në kokat e tifozëve verdhekuq.
E dyshimet shtohen edhe më tepër pas deklaratave të bëra nga vetë Murinjo. Sjellja e portugezit është dukshëm larg asaj të një trajneri të madh, me arrogancën që nuk ka mban dot të fshehur as kur vjen puna për lojtarët e tij. Mjaftoi një humbje për të dalë publikisht me deklarata aspak të bukura për futbollistët e tij, madje duke u shprehur se ka në dispozicion vetëm 13 lojtarë të aftë për ekipin e parë. Një vlerësim i tillë duhej të mbërrinte në tryezën e presidentit që në merkaton e verës, e jo në një kohë kur kanë kaluar 2 muaj nga fillimi i sezonit. Koha për të njohur ekipin që do të kishte nën urdhëra ishte më tepër se e mjaftueshme, çka e bën justifimin mbi cilësitë e lojtarëve të papranueshëm.
Në futboll pjesa më e rëndësishme nuk janë këmbët dhe teknika, por… ana psikologjike dhe ironinë për lojtarët e vetë nuk i ndihmojnë këtë të fundit në këtë aspekt. Përkundrazi, rrezikojnë të paraqiten më keq. Humbjet janë gjithnjë përgjegjësi e trajnerit dhe për këtë Murinjo rrallë herë merr pjesën e fajit që i takon. Detyra e trajnerit është e qartë, të injektojë filozofinë e tij në ekip e të rrisë grupin që ka në dispozicion për të mbërritur në objektivat e vendosura nga klubi. Në fund është rezultati ai që mat punën e bërë dhe një trajner i madh e pranon atë sido që të jetë./Halit Delibashi-Sport Ekspres/