Do të jetë pasardhësi i Dajës te Partizani? Duro: Unë nuk do rri pa punë, aq më tepër që Partizani është shtëpia ime

Partizani nuk po arrin të gjejë fitoren e parë në kampionat edhe pse 5 javë janë luajtur deri më tani. Kjo mungesë e rezultateve pozitive ka sjellë edhe zëra për një largim të mundshëm të trajnerit Ilir Daja dhe si pasardhës i tij është përfolur një tjetër trajner i njohur e me shumë eksperiencë si Shëptim Duro. Një foto e shpërndarë nga Edmond Dosti ku sugjeronte se kishte ardhur koha për rifreskim në krye të pankinës i dha më tepër jetë hipotezës për Duron në stolin e Partizanit.

Në studion e emisionit “Sport News” në “News 24”, të moderuar nga Enxhi Biba, vetë trajneri shqiptar nuk e mohon një mundësi për të marrë drejtimin e të kuqve. Shpëtim Duro thekson se klubi kryeqytetas është shtëpia e tij dhe se është në kërkim të një aventure të re në Superiore.

“Nuk i referohem rrjeteve sociale se aty komentojnë të gjithë dhe kanë të drejtën e tyre. Unë e vlerësoj mendimin e Dostit por nuk ka asgjë. Në kuadrin e dëshirave mund të ketë shumë por nuk ka asnjë lloj realiteti për këtë moment. Nuk është e çuditshme se ndërrimi i trajnerëve vazhdon, edhe në Serinë A kanë ikur tre.

Çdo trajner qëndron në punë në bazë të rezultateve, ka edhe te ne si unë që mund të largohen për arsye nga më të ndryshmet. Partizani me derbin me Tiranën është një moment që ose të kthehet qetësia, ose patjetër do të ketë probleme nëse humb. Humbja mund të ketë ndikim edhe te Tirana, por jo si do të ishte te Partizani.

Aty trajneri është në aktivitet por profesioni im është të kem punë, unë nuk do të rri pa punë, ky është profesioni. Aq më shumë që Partizani është familja ime. Por të gjitha janë në kuadrin e supozimeve. Unë sinqerisht them që Partizani duhet të përmirësohet dhe jam i bindur që me kualitetin që ka edhe në derbi mund të marrë rezultat pozitiv e qetësohet situata“, ka deklaruar Shpëtim Duro./Halit Delibashi-Sport Ekspres/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *