Opinion nga Altin Sulçe për “Sport Ekspres”
Dy ndër futbollistët që pritej të udhëhiqnin grupin në fushë patën rendimentin më të dobët se të tjerët dhe kjo ndodhi ne një nga ndeshjet më të rëndësishme të historisë së futbollit shqiptar. Manaj & Hysaj duhet të ndryshojnë mënyrën e të sjellurit në fushë për të qenë pjesë e rëndësishme e skuadrës së një kombi. Hysaj karriera e të cilit ka kaluar nga Napoli dhe luan te Lacio është interesante, po aq shumë edhe Manaj nga Inter, Barcelona dhe tani te Spezia. Cilesitë nuk i mungojnë këtyre djemve që të tregojnë potencialin e tyre në çdo moment kuqezi. Po hera-herës Hysaj dhe Manaj nuk po gjejnë bashkëpunimin dhe sinkronizimin .
Duket se udhëzimet e trajnerit Reja, për mos mbajtjen e tepër te topit, angazhimin maksimal në lojë, apo grintës për të vrapuar në çdo kënd të fushës, nuk po kuptohen mirë… Loja me mbajtje të theksuar të topit, ka dalë demode në futbollin modern, kaq gjë duhet me emergjencë ta kuptojnë. Dhe Hysaj shpeshherë bën një Hysaj tjetër në Serinë A dhe tjetër në Kombëtare. Por edhe Manaj, duket se nuk e kishte kuptuar rëndësinë e ndeshjes Shqipëri-Poloni. Barcelona është larg stadiumit Air Albania, këtu është një histori tjetër, një realitet ndryshe, në fushë duhet të sillesh si luan.
Rasti ku Manaj duhet të shërbente për Uzunin ne fillim të ndeshjes me polakët është i pafalshëm për një lojtar qe pretendon të shkruaj emrin në futbollin e madh, duhet të jetë altruist. Por edhe Hysaj del shpeshherë nga vetja, mbase nga dëshira e tepërt, për të luajtur një futboll më të madh se potenciali i tij. Gaboi në pasim në ndeshjen me polakët dhe gaboi në markim në rastin e golit të Sviderskit. Dhe gafat janë bërë edhe në ndeshje të tjera të Shqipërisë, nuk po ndalojnë. Një gjë duhet ta kuptojnë se Shqipëria është më e rëndësishme se individi. Fanella nuk është pronë e askujt dhe nuk hipotekë, është vlerësim dhe nderi i jashtëzakonshëm për këdo që ka shanin për ta veshur. Dakort, u humb një ndeshje me pritshmëri të mëdha. Por dikush nga FSHF duhet t’u flas këtyre lojtarëve dhe t’i tregoj qartë se asnjëri nuk është i pazëvendësueshëm. /Sport Ekspres/