“Broja një nga më të mirët e historisë”, Lala ngre në piedestal talentin shqiptar: Është v.rasës, s’kemi luks ta lëmë në stol

Altin Lala ishte i ftuar në studion e emisionit “Sport News“ në “News 24“ të moderuar nga Enxhi Biba, ku komentoi sfidën e mbrëmshme kundër Polonisë. Ish-mesfushori shqiptar u ndal ndër të tjera te ylli i ri që po lind në Kombëtaren kuqezi, Armando Broja. Lala ngre në piedestal talentin 20-vjeçar, të cilin e konsideron një nga më të mirët në historinë e ekipit tonë kombëtar. Për këtë arsye ish-kapiteni i kuqezinjve e sheh si befasi lënien në stol në përballjen e mbrëmshme ndaj Polonisë në “Air Albania”

“Besoj se nuk kemi si ai. Unë këtë gjë akoma nuk e kam kuptuar, kjo do ishte pyetja e parë që do i bëja trajnerit. Unë që para ndeshjes edhe me Hungarinë e shihja që Broja është lojtar shumë i talentuar dhe dëgjoja që donte ta ruante. Por edhe Mesi ka luajtur 17 vjeç, jo se dua ta krahasoj me Ronaldo e Messin. Por nuk kemi luksin të lëmë një si Broja në pankinë, edhe në sfidat e fundit ka bërë jashtëzakonisht mirë, ka shënuar gola. Ka një start në një kundër një që është i frikshëm, i rrezikshëm për kundërshtarët.

Kjo na mungoi dje dhe këtë nuk e kuptova, nuk është logjike. Mund të luante e humbnim gjithsesi, por mund të kishim gjasa më shumë me shpejtësi e thellësi. Është gjynah ta lësh atë djalë në pankinë. Unë nuk e kuptoj, aq më tepër Polonia kishte një lojtar mbrojtës në moshë, kishte hapësira. Ai është rritur në Angli, është në Premier League dhe nuk ka arsye pse të mos luajë.

Unë vetëm Panajot Panon nuk e kam parë, e kam parë në filmime, që thonë është më i miri i gjithë kohëve. Por Broja për mendimin tim, me gjithë respektin për sulmuesit që kanë luajtur, është një ndër më të mirët, edhe pse nuk ka lidhje që t’i bëjmë qejfin Brojës apo jo, por është lojtar që e meriton të luajë, nuk e kam kuptuar, dje isha disi… nuk është logjike, për mua është e pajustifikueshme.

A do thyejë rekordet? Patjetër. Ai vetëm të ketë shëndetin, të vazhdojë me këtë intensitet siç luan, ka një farë karakteri dhe në veprime, duket sikur është i ftohtë e pastaj është v.rasës, ka diçka të lindur në instinktin si luan futboll, shpresoj në të ardhmen të jetë lojtar formacioni. Ai ka fizikun, është mësuar e rritur atje në Angli. Është mirë, është liga më e mirë në botë, besoj që të jetë edhe atje që aktivizohet vazhdimisht, por me kombëtaren është nga fillimi”, është shprehur Altin Lala./Halit Delibashi-Sport Ekspres/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *