Ëndrra për një vend në “play off“-et e Kupës së Botës mbetet gjallë dhe kjo e gjitha falë Armando Brojës. Djaloshi i talentuar tregon përsëri se është i një tjetër niveli, teksa hyn nga stoli për të bërë sërish heroin. Ashtu si në ndeshjen e parë në “Elbasan Arena“, sulmuesi shqiptar hidhet në fushë në pjesën e dytë dhe në minutën e 80 bën një driblim fantastik për të depërtuar në zonën hungareze. Prej aty nga një kënd i vështirë zgjedh sfidën e vështirë për të shënuar dhe në fund ia del. Topi ndalet në rrjetë dhe menjëherë kampi kuqezi shpërthen në festë. Shqipëria fiton kështu me rezultatin 1-0 kundër Hungarisë dhe luan shansin e artë më 12 tetor përballë Polonisë. Pas përfundimit të sfidës, protagonistët kanë dhënë intervistat e tyre për mikrofonin e “Supersport“.
Duka: “Rezultat shumë i mirë dhe është i dobishëm. Por disa nga lojtarët nuk ishin në maksimumin e tyre, nuk dhamë maksimumin. Tani jemi ende në lojë për ëndrrën e Botërorit. Ishim më mirë se Hungaria në fushë, kishim më tepër raste se ata, luajtëm më mirë se ata. Nuk është për të qenë mëndjemadh, po ndryshojmë mentalitetin dhe duhet të besojmë më tepër në vetvete. Shqipëria nuk e ka pasur kurrë në histori një Armando Brojën. Hungaria do ta shënoj në histori këtë lojtar që i shkaktoi dy humbje. Shumica e lojtarëve janë përmbajtur në dhomën e zhveshjes dhe kanë thënë se duhet të festojmë pas Polonisë. Më ka pëlqyer ky fakt“.
Reja: “Sigurisht që kemi vuajtur deri në fund, rastet për gol duhet t’i shfrytëzojmë të gjitha. Duhet të jemi të qetë, me këmbë në tokë. Ishim shumë të lumtur sigurisht pasi kemi fituar dy ndeshje me Hungarinë. Është Kombëtare e ardhur nga Europiani dhe na jep kënaqësi kjo gjë. Jemi gati që të luajmë kundër të gjithëve. Në mbrojtje ne kemi qenë shumë mirë. Nuk jam shumë i kënaqur nga loja e Shqipërisë sot, ne mund të bëjmë shumë më mirë. A do ta nis Broja si titullar? Përse ma bëni këtë pyetje? Ne kemi 23 lojtarë, Shqipëria nuk ka vetëm një apo dy lojtar. Nuk duhet vetëm që të shënosh, por edhe të luash për skuadrën. Është më e vështirë që të luash nga minuta e parë pasi kundërshtari ka organizim, ka forcë fizike. Për këtë arsye Broja vlen shumë kur vjen nga stoli me vlerat që ka“.
Hysaj: “E meritonim që të merrnim tre pikët. Hungaria nuk krijoj asnjë rast, thjesht ia dhuruam një ne. Kemi ardhur për fitore dhe mendojmë për ndeshjen e radhës. Jemi duke u stërvitur cdo ditë për të shkuar sa më lart. Jemi rritur dhe shpresojmë që të vazhdojmë kështu edhe në të ardhmen. Mundësitë i kemi për të shkuar në Botëror, shpresa vdes e fundit. Duhet të shfyrtëzojmë mundësitë dhe me ndihmën e tifozëve që t’ia dalim“.
Gjasula: “E merituam fitoren. Kishim pak fat te shtylla dhe e kaluam atë momentin e vogël. Ishte rasti i parë për Hungarinë, mund ta mbyllim ndeshjen më herët. Nuk kam lamë thuajse asnjë rast nga kundërshtari dhe ishte e merituar. Kjo fitore e Shqipërisë i dedikohet Gjimshitit. Është në spital dhe gjithë të mirat për të. Tani do t’i japim forcë për Gjimshitin që është koka drejtuese e Kombëtares. Ne mund të fitojmë me Poloninë po të jemi në ditë të mirë. Në shtëpi do të jetë zjarr stadiumi”.
Broja: “Më tha trajneri: “A je gati të hysh”? I thashë “po”. Hyra me besim për të bërë golin për të bërë golin. Avash-avash jemi bërë një skuadër e mirë. Jemi djem shumë të mirë dhe jemi shumë të bashkuar bashkë. Sa herë vijmë në Shqipëri jemi më afër. Të jemi të përqendruar për ndeshjen kunddër Polonisë. Gjithmonë kur hyjmë në ndeshje e kemi mendjen të fitojmë jo të barazijmë. Edhe nëse është Belgjika ose Franca. Isha pak i dëmtuar dje. Nuk kam qenë në stërvitje. Edhe pse isha pak i dëmtuar hyra për të ndihmuar ekipin“./Halit Delibashi-Sport Ekspres/