Pasi organizoi me sukses mbledhjen e Komitetit HatTrick të UEFA-s në Tiranë pak ditë më parë me pjesëmarrjen e një delegacioni të lartë të qeverisë së futbollit evropian, Federata Shqiptare e Futbollit do të presë një tjetër event shumë të rëndësishëm.
UEFA i ka besuar FSHF-së organizimin e UEFA CFM (Certificate in Football Management), një program shumë i nevojshëm për këdo që punon në një organizatë futbollistike e që dëshiron të rrisë nivelin e menaxhimit dhe performancës. Ky certifikim në menaxhim futbolli ofrohet nga UEFA për përfaqësuesit e federatave anëtare si edhe për përfaqësues të futbollit në nivele të ndryshme. Eksperiencat pozitive të bashkëpunimit të vazhdueshëm me FSHF-në në të gjitha nivelet ka bërë që UEFA t’ia besojë organizimin e këtij trajnimi kaq të rëndësishëm qeverisë shqiptare të futbollit.
Ky seminar do të ofrohet këtë edicion nga Federata Shqiptare e Futbollit në bashkëpunim me UEFA-n dhe në të do të marrin pjesë përfaqësues të FSHF, klubeve anëtare si edhe përfaqësues nga federata homologe që do të trajnohen nga lektorë ndërkombëtarë.Programi është krijuar nga Akademia UEFA dhe partneri i saj akademik, Shkolla Zvicerane e Administrimit Publik (IDHEAP) e Universitetit të Lozanës, dhe tani u ofrohet federatave anëtare të UEFA-s.
CFM (Certificate in Football Management) synon të zhvillojë njohuritë teorike dhe praktike të një menaxheri, të rrisë performancën e një drejtuesi të lartë dhe ta afrojë atë me praktikat më të mira të futbollit europian. Pjesëmarrësit marrin leksione nga pedagogë nga universitete të rëndësishme europiane si edhe menaxherë të mëdhenj të botës së futbollit e drejtues të UEFA-s.
Një besim dhe një përgjegjësi e madhe për FSHF që vlerësohet për rritjen e vazhdueshme që ka pasur vitet e fundit në drejtim të menaxhimit. CFM organizohet në tre seminare direkte me pedagogë në auditor dhe 6 module për kandidatët zhvillohen në e-learning në lidhje me organizimin e futbollit, menaxhimit strategjik dhe operativ, sponsorizimet, marketingu, komunikimi dhe media, eventet dhe menaxhimi i vullnetarëve.
Sekretari i Përgjithshëm i FSHF-së, Ilir Shulku, e ka cilësuar organizimin e këtij eventi në Shqipëri si një vlerësim dhe njëkohësisht përgjegjësi që i jepet Federatës nga UEFA. Shulku shpreh bindjen se FSHF do ta organizojë me sukses edhe këtë event ashtu siç ka bërë edhe me të gjitha aktivitetet që i janë besuar nga UEFA.