Ekskluzive/ “Marrë ilacet e tensionit kur e shoh”! Babai i Keidi Bares: Në Shqipëri e kritikojnë si në kafe, i ka mbetur një fiksim nga Diego Simeone

Nga Klaudio Ndreca

Keidi Bare! Ky është një djalë që ka lindur me këmishë apo ka bërë gjithçka për ta veshur atë? Kjo është enigma e madhe! Mesfushori në fjalë ka punuar me Diego Simeonen, ka luajtur dhe qëndruar me Fernando Torres, ka shënuar ndaj Liverpulit dhe shkëlqeu ndaj Realit të Madridit në La Liga. Gjithçka vetëm brenda pak kohësh, por gjithçka e merituar!

E arritur me shumë punë dhe vullnet, ashtu siç na tregon edhe vetë babai i tij. Pikërisht për këtë arsye e quajmë edhe si një futbollist me fat Keidin, për shkakun e babait të tij, Artanin. Dikur një futbollist i njohur në vendin tonë, Artan Bare ka qëllimin dhe punën më të bukur në botë, që të dërgojë në nivelet më të larta djalin e tij. Shpeshherë zgjedh që ta stërvis edhe vetë Keidin, pavarësisht se puna nuk mungon te Espanjoli në La Liga.

Por edhe në kohën e pandemisë kur futbollistët kanë vuajtur në aspektin e stërvitjes, Keidi e kishte zgjedhjen në shtëpi me babain dhe nuk ka vuajtur në këtë aspekt. Në një intervistë të gjatë për “Sport Ekspres”, Artan Bare na tregon gjithçka në lidhje me mesfushorin që Kombëtarja Shqiptare ka krijuar sot varësi dhe nuk bën dot pa të.

Artan, si ka qenë marrëdhënia jote me Keidin duke u nisur që nga fëmijëria e tij deri në këto momente. Dimë që e ke ndjekur në çdo hap të vetëm që ka hedhur…

Unë Keidin e kam ndjekur që të vogël, që në moshën 6-vjeçare dhe deri tani, e mësoj shumë në çdo gjë. Që ka arritur në këto nivele, e ka bërë me zotësinë e tij dhe si prind është kënaqësi e madhe. Pavarësisht se ka arritur deri këtu në La Liga, punon dy herë në javë me mua që i bëj stërvitje. Më dëgjon shumë dhe nuk më thotë kurrë jo, nuk është mërzitur njëherë të vetme edhe kur e stërvis unë.

A i ke dhënë një këshillë Keidit që e mban mend gjithmonë në ndeshje?

Po i kam thënë që mos e humb kurrë topin se do të kushtojë shtrenjtë, La Liga nuk të fal. E ka pikë referimi këtë fjalë që i kam thënë dhe po ta shikoni, janë shumë të pakëta topat që humbet. Mban një regjim të paparë dhe është shumë punëtor.

Dikur Keidi ka thënë se kur ti e ndiqje në moshë më të vogël dhe i thoje se është lojtar i mirë, në fakt mendonte se po e gënjeje…

(qesh) I thoja gjithmonë që nuk ke arritur asgjë. Kur ishte te Atletico Madrid i thoja se nuk ke arritur asgjë prapë se dy ndeshje ka luajtur. Te Malaga arriti diçka dhe tani në La Liga është te piaca e madhe, por nuk do ndalemi këtu se kam besim se po vjen edhe hapi më i madh.

Le të kalojmë te ndeshja me Realin e Madridit. Nuk janë të shumtë shqiptarët që kanë fituar ndaj Realit, për të mos thënë se Keidi Bare është i pari. Cfarë kënaqësie të jep ty si prind dhe ish-futbollist që e sheh djalin në këtë nivel?

Ishte kënaqësi e madhe që të isha në stadium. E çfarë t’ju them? Ta shohësh djalin që të zhvillojë ndeshje fantastike kundër yjeve të futbollit. E kam përjetuar shumë dhe nuk ka ndjenjë më të mirë.

E ke përjetuar shumë. Do të thotë se ke qëndruar më shumë në këmbë sesa ulur për të parë takimin?

Unë kur shkoj në stadium marrë edhe ilacet e tensionit me vete (qesh). E përjetoj shumë dhe në gjithë ndeshjen mund të jem ngritur mbi 10 herë që kam lënë stolin tim nga zona VIP te Espanyol.

Cila është pika që vlerëson më shumë te Keidi dhe kritika që do t’i jepje si prind dhe ish-futbollist?

Pika më e fortë është vullneti dhe përkushtimi. Ndërsa për pikën më të dobët, nuk ka.

Mendon se Keidi nuk ka asnjë pikë të dobët?

Sigurisht që asnjë lojtar në botë nuk ka arritur perfeksionin. Por nuk shoh gjëra shqetësuese për të, vetëm detaje të vogla që rregullohen me kalimin e kohës. Përshembull dëgjoj nga shumë analistë shqiptarë që flasin në studio sikur të jenë te kafeja e lagjes që Keidi Bare e mban shumë topin në zotërim. Shikoni që ta sqarojmë. Në moshën 15-vjeç ka qenë ky lojtar Keidi, që e mbante shumë topin. Pastaj kur ishte te Atletico nuk e linte Simeone asnjëherë që ta bënte një gjë të tillë, duhej pasimi i menjëhershëm. I është bërë fiksim që nga koha kur punoj me Simeonen. Ne jemi këtu në Spanjë dhe te Espanjoli, nuk kam dëgjuar kurrë një media, një gazetar ose një analist që ta japi këtë kritikë për Baren që e mban shumë topin. Vetëm në Shqipëri i dëgjoj gjëra të tilla, por gjithsesi është mendimi tyre.

Keidi ka lindur në 1997 që dihet se çfarë është kaluar në Shqipëri. Çfarë mban mend nga ato kohë?

Fëmija i parë ishte vajzë dhe të dytin e doja djalë me çdo kusht. Mbaj mend me nostagji, të gjitha. Kur hyra te materniteti i Fierit dhe shoh një djal të mbushur e të vogël që ishte Keidi, shumë nostagji. E kush do ta mendonte atëherë që do të shkonte në La Liga. Unë kujtoj që kur ka qenë 10 vjeç më tha që ta ndiqja në stadium pasi kishin një finale në Vlorë. Më thonin më parë që ishte i mirë, por mendoja se është i vogël në trup dhe nuk do të arrinte kaq larg. Kur shkova dhe e pashë në finalen në Vlorë, më ka hequr trurin për mënyrën sesi luajti. Thashë me vete: “O zot, çfarë është ky?”. Që nga ai moment deri tani nuk e kam lënë vetëm për asnjë moment dhe ia kemi plotësuar të gjitha. Një kërkesë bën Keidi dhe ka të gjithë familjen aty gati.

Më parë the se merr ilacet e tensionit kur shkon në stadium për të parë Keidin, po e ke menduar zgjidhjen nëse shkon për ta parë në Botëror me fanellën e Shqipërisë?

Pastaj u pa puna, nga një kokërr për tensionin do i kthejmë dhe po pimë dy kokrra(qesh). Vetëm të shkojnë deri në atë pikë, unë mendoj se do t’ia dalin se kemi brez të jashtëzakonshëm.

E në këtë pikë dua t’ju pyes. Kur Keidi flet me ju e vë re këtë ndryshimin nga Shqipëria dhe shokët e skuadrës që kishte më herët dhe Kombëtaren që është tani?

Po po, ma thotë gjithmonë. Ma thotë gjithmonë se ndihet më mirë në fushë, që Shqipëria është rritur shumë në nivel dhe se me këta lojtarë mund të shkohet shumë larg. Unë po flas për të shkuar në Botëror, se Europianin…

Nuk llogaritet fare Europiani nëse vazhdohet kështu?

Jo jo, nuk ka fare llogari që do të shkojmë në Europian me këtë brez që kemi. /Sport Ekspres/

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *