Shpëtim Duro ka folur në emisionin “Sport News“ në “News 24“ për gjendjen në të cilën ndodhet tashmë ish-skuadra e tij, Laçi. Trajneri i njohur shqiptar nuk arrin ta kuptojë përse ekipi kurbinas ka mbërritur në këtë situatë, pasi nën drejtimin e tij ka bërë paraqijte mjaft të mira në Europë si dhe është një grup i krijuar për titullin kampion.
“Të flas për Laçin tani në këto momente e kam të vështirë. Të them të drejtën më vjen shumë keq, sepse janë futbollistë që unë i kam stërvitur pothuajse gjithë periudhën e verës. Pretendoi për titull kampion deri në javën e fundit me Teutën. U larguan shumë futbollistë, arritëm të formojmë një grup shumë të mirë bashkë me drejtuesit. U bë një skuadër shumë kompetitive. Zhvilluam 6 ndeshje super ndërkombëtare, arriti një nivel shumë të lartë.
Unë e kam theksuar dhe nuk e fsheh, edhe atë ditë që u largova thashë që është një skuadër për titull kampion. Nuk është problem vendi i fundit. Por sinqerisht e them, se unë i njoh shumë mirë të gjithë ata futbollistë me karakter, nuk është ajo skuadër që unë kisha. Nuk i njoh fare disa futbollistë në fushën e lojës. Ata që ishin me një nivel shumë të lartë. Nuk ka asnjë ndryshim në organikë, po ai Laç është. I vetmi që u largova isha unë bashkë me stafin teknik”, ka thënë Shpëtim Duro./Halit Delibashi-Sport Ekspres/