“I them lojtarëve, të bëhemi legjenda të klubit”, Ibraimi: Kemi emrin që vlen më shumë se ekipet e tjera të Superiores

Agim Ibraimi ka qenë i ftuar në një lidhje në “Skype” me emisionin “Skaner” në “MCN TV”, ku flet për objektivat e tij dhe të Dinamos këtë sezon. Emri i skuadrës kryeqytetase flet vetë dhe kaq mjafton për futbollistin shqiptar që të synojnë maksimumin në këtë kampionat. Dëshira e Ibraimit është titulli kampion, ndërsa për vetë klubin ka veç fjalë të mëdha dhe vlerësime.

“Dinamo shkon gjithmonë për të fituar. Derbi ka shije kur luhet 11 me 11 dhe jo 11 me 10. Megjithatë në fund duhet të jemi të kënaqur me pikën e fituar. Dinamo është mbi të gjithë ne. Është klub me autoritet të lartë, me trofe më shumë se të gjithë ne futbollistët. Kështu që edhe stili jonë dhe paraqitjet tona duhet të jenë të tilla. Duhet ti përshtatemi këtij klubi. Duhet ti gëzojmë të gjithë tifozët dhe ta çojmë Dinamon aty ku e ka vendin. Vendi i saj dihet, në pozicionet e larta. Historia e Dinamos flet vetë. Nuk kam asnjë synim personal.

Për hir të vërtetës në asnjë sezon të karrierës sime nuk kam pasur asnjë synim të shënoj 5, 10, 12. Shumë vend të rëndësishëm për mua kanë fitoret e ekipit. Kam fituar shumë tituj kampion, edhe me Mariborin, edhe me Astanën edhe me Shkëndijën e Tetovës. Shpresoj të hyjmë në rrugën e fituesve edhe me Dinamon.

Janë dy tipare të njëjta, Çinedu me Ezenë. Ndoshta Eze ka më tepër eksperiencë, por të mos harrojmë që Çinedu është mjaft i ri dhe mund të them se është lojtari më i fortë fizikisht në kampionatin tonë.

Edhe para ndeshjes kur grumbullohemi të gjithë futbollistët, u them të gjithëve që objektivat personale ti kthejmë në kolektive, atëherë do të duket se kush jemi. Kështu që për mua vlen shumë objektivi kolektiv, të bëhemi legjenda të klubit. Edhe kur afrohet mbyllja e karrierës të afrohet me shije të këndshme. Historia e Dinamos flet vetë. Gjatë kësaj kohe, megjithëse nuk ka qenë në Superiore emrin e ka shumë të madh. Kemi emrin që vlen më shumë se të gjitha ekipet e tjera të Superiore”, ka deklaruar Agim Ibraimi./Halit Delibashi-Sport Ekspres/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *