Trajneri i Manchester City nuk ishte shumë i lumtur në përfundimin e takimit të Champions League me Leipzig. Në stadium ishin 38.000 tifozë, kur kapaciteti shkonte në 55.000. Për këtë arsye tekniku i “qytetarëve” është shprehur se tifozët duhet të vijnë me patjetër ndaj Southampton në kampionat pasi kundërshtari është i rrezikshëm dhe lojtarët e Man City janë lodhur nga kompeticioni në Europë.
Menjëherë erdhi reagimi i tifozëve besnik të Manchester City që nëpërmjet një komunikate u shprehën se numri i ulët në Champions League erdhi nga emri i rivalit dhe fakti se shumë tifozë duhej të kujdeseshin për fëmijët e tyre në mbrëmje. Duke i tërhequr vëmendjen Guardiolës, gjithashtu i është kërkuar trajnerit që të bëjë punën e tij dhe të mos kritikojë me një ndeshje, pasi në kampionat kanë qenë takimet me “sold out”.
I pyetur në lidhje me këtë reagim, Guardiola nuk kërkon falje. “Unë nuk do të kërkoj falje për atë që thashë. Ajo që thashë është se ne kemi nevojë për mbështetje. Nuk ka rëndësi sa njerëz vijnë, por i ftoj ata të vijnë të shijojnë lojën sepse ne kemi nevojë për mbështetje. Unë jam plotësisht mirënjohës për mbështetjen kishim gjatë ndeshjes kundër Leipzig.
Gjithmonë them se nëse tifozët duan të vijnë, ne do të jemi jashtëzakonisht mirënjohës, sepse e di se sa e vështirë do të jetë një ndeshje dhe e di që ne kemi nevojë për tifozët tanë. Unë kurrë nuk ulem këtu dhe pyes veten pse njerëzit nuk vijnë. Në rregull, nëse nuk mund të vish, atëherë mos hajde”, tha Guardiola. /Sport Ekspres/