“Apolonisë nuk ia marrin dot lojtarët pa lekë“, Kokëdhima: Klubet shqiptare janë mësuar të vjedhin njëri-tjetrin

Koço Kokëdhima ka qenë i ftuar në emisionin “Skaner“ në “MCN TV“, ku ka folur gjatë rreth futbollit në Shqipëri. Një temë e diskutuar ka qenë edhe mosfunksionimi i merkatos brenda vendit, që duket një problem shqetësues për futbollin tonë. Presidenti i Apolonisë thekson se klubet shqiptare nuk e respektojnë punën e njëri-tjetrit dhe përpiqen ti përfitojnë lojtarët falas, pa derdhur shpenzime për kartonin e tyre. Më tej Kokëdhima e bën të qartë e kjo filozofi nuk ekziston në klubin që ai drejton dhe se për të siguruar lojtarë të Apolonië duhet paguar vlera e vërtetë e tyre në treg.

“Klubet e Shqipërisë nuk janë mësuar të blejnë lojtarë, por janë mësuar të vjedhin lojtarë. Janë mësuar të vjedhin njëri-tjetrin dhe jo të respektojnë punën e njëri-tjetrit. Por kohët kanë ndryshuar. Kjo filozofi nuk mund të shkojë askund. Nuk mund të eci. Një nga ndryshimet e mëdha që ka ndodhur është vendosja e ‘training compensation’ në nivele të arsyeshme. Kjo vendimmarrje e Federatës Shqiptare të Futbollit është një revolucion, një nga reformat më të rëndësishme që i jep garanci dhe mbrojtje shumë investimeve që kanë lidhje me rritjen dhe zhvillimin e lojtarëve.

Nga kjo janë bërë tashmë shumë rregullime, që klubet e tjera nuk e kanë më të lehtë t’ja marrin punën tjetër pa marrë as lejen e tij. Në Europë nuk diskutohet që jemi vendi i fundit. Shifrat për blerje në 10 vitet e fundit janë 800 mijë dollarë, flas nga Kategoria Superiore e Shqipërisë. Është praktikisht 0. Kështu që Apoloninë as nuk e vjedhin dot, e as nuk ia marrin dot lojtarët pa lekë. Askush. Te Apolonia do marrin lojtarë vetëm ata që respektojnë punën e klubit. Përveç Dinamos, asnjë klub tjetër nuk është i përgatitur që të hyjë në marrëdhënie të ndershme me klubet e tjera.

Nuk i zgjidh zoti Duka këto. Për mua zoti Duka e ka zgjidhur, sepse ka vendosur training comensation, ka vendosur sistemin elektronik të plotë, që dokumenton gjithçka, ka vendosur në Federatë institucione të besushme. Dhe ne nuk e kemi më këtë frikë”, ka thënë Koço Kokëdhima./Halit Delibashi-Sport Ekspres/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *