Prozhektorët e futbollit janë drejtuar përsëri nga klubet, por në Poloni vijon të diskutohet ende për Kombëtaren. Një ish-lojtar i përfaqësueses polake, Radoslav Kaluzni, jep mendimin e tij mbi atë çfarë pa në fushën e lojës në ndeshjet e muajit shtator. Kaluzni mbetet i kënaqur me rezultatet, por loja e zhvilluar ndaj Shqipërisë nuk e bind aspak. Kuqezinjtë e kanë befasuar dhe te ta sheh një potencial të madh në të ardhmen e afërt. Më tej shpresën e vetme në ekipin kombëtar polak Radoslav Kaluzni e gjen te Levandovski, pa të cilin vite të vështira i presin.
“Rezultatet me San Marinon dhe Shqipërinë janë të shkëlqyera, por loja është kështu-kështu. Sipas mendimit tim, Shqipëria ka një potencial të tillë që në një ose dy vite do të bëhet një ekip solid europian. Më befasoi shumë në ndeshjen në “Stadiumin Kombëtar”. Skuadra e Sousa-s luajti në shtëpi dhe dukej e tmerrshme për momente të gjata. Në rregull, ne fituam 4: 1. Të thuash që rezultati gënjeu për atë që po ndodhte në fushë do të thotë të mos thuash asgjë.
Më mirë të kuptojmë se nuk do të kemi sukses të bëjmë diçka të tillë në dyqind vitet e ardhshme. Katër goditje, katër gola, efikasitet prej kampioni botëror. Le të luajë Robert Levandovski deri në dyzet vjeç, përndryshe do të përfundojmë në një bodrum të errët. Mjaftoi që Levandovski të linte fushën në San Marino dhe filluan minutat e turpit”, ka thënë Radoslav Kaluzni./Halit Delibashi-Sport Ekspres/