De Biazi po zhgënjen në rezultate me Kombëtaren e Azerbajxhanit. Vetëm 1 fitore e arritur në 14 ndeshjet e fundit, ndërsa edhe ajo është gjetur në një përballje miqësore që nuk vlen në pikë. Kaq për të kuptuar pikën e mbërritjes së italianit, që dukshëm nuk po e gjen dot veten më si dikur te Shqipëria.
Në ditën e djeshme Azerbajxhani humbi ndaj Portugalisë me shifrat 0-3, për më tepër që nuk kishte as Kristiano Ronaldon. Shumë më ndryshe ishte historia e kualifikueseve për Europianin e Francës. Në atë kohë kur mungonte Ronaldo, Shqipëria arriti të mposhte Portugalinë në transfertë me golin e Balajt.
Por pavarësisht zhgënjimit në rezultate, De Biazi mban të njëjtën lartësi në batuta sa i përket konferencave për shtyp: “E munda Portugalinë me Shqipërinë në 2014. Shpresa vdes e fundit, në jetë kurrë mos thuaj kurrë. Dua t’ju kujtoj se Fernando Santos ma ka borxh akoma një shishe vere nga Porto. Ai u bë trajneri i Portugalisë falë meje dhe më pas fitoi Europianin”, tha mes batutës De Biazi.
Pas asaj fitore të Shqipërisë, do të shkarkohej menjëherë Paulo Bento, për t’i hapur vendin Santos. Ky i fundit është pyetur nga gazetarët rreth kësaj kërkese të De Biazit, duke u përgjigjur: “Nuk mbaj mend të kem premtuar diçka të tillë dhe nuk kam asgjë borxh. Por kam kënaqësinë që t’ia ofroj një shishe vere”, tha Santos. /Sport Ekspres/