Aventura e re e Xhani De Biazit nuk po shkon aspak ashtu siç trajneri italian mund të kishte parashikuar. Ish-kreu i pankinës së kuqezinjve e nisi detyrën e re me një krahasim me Shqipërinë ku shprehej: “Unë u shpjegova atyre se ata kanë potencial. U shpjegova lojtarëve që u kualifikova në finalet e Kampionatit Evropian me një ekip më të dobët se ata“. Por koha ka hedhur poshtë fjalët e De Biazit, që sot ka marrë humbjen e radhës me Kombëtaren azere.
Përballë Portugalisë nuk kishte një surprizë ashtu siç do të ndodhte disa vite më parë, kur me një fitore fantastike ndaj luzitanëve nisi ëndrra e madhe për kualifikimin historik në Euro 2016. Portugezët kanë mposhtur Azerbajxhanin me shifrat 0-3, duke thelluar bilancin e shifrave për ekipin e drejtuar nga tekniku italian.
Në 14 ndeshjet e fundit azerët numërojnë vetëm 1 fitore, e cila është arritur në një ndeshje miqësore. Ndërsa sa i përket kualifikueseve për Kupën e Botës Katar 2022, skuadra e De Biazit ka arritur të marrë vetëm 1 pikë, shumë pak kjo për të shpresuar për një pozitë të mirë në grup./Halit Delibashi-Sport Ekspres/