E papritur/ Halili var “këpucët në gozhdë“ në moshën 23-vjeçare: Vendim i vështirë, por i duhuri për mua

Grent Halili ka bërë befasinë e madhe mbrëmjen e sotme. Futbollisti i Tiranës ka marrë një vendim të papritur, teksa njofton se do të varë “këpucët në gozhdë” dhe nuk do të jetë më gjatë pjesë e futbollit. Pavarësisht se në një moshë 23-vjeçare, djali i presidentit të klubit bardheblu ka njoftuar të gjithë opinionin sportiv se nuk do ta shohim më gjatë në fushat e blerta. Megjithatë Halili lë të hapur mundësinë e rikthimit te Tirana në një post drejtues./Halit Delibashi-Sport Ekspres/

Njoftimi i Grent Halilit:

Gjithcka nisi 13 vite më parë me një ëndërr që një ditë do të mund të bëhesha një futbollist profesionist. Është e vërtetë kur thonë që në jetë e mira s’ka fund, por ama jam krenar për atë c’ka munda të arrij në këtë profesion. Sot dua të lajmeroj tërheqjen time nga futbolli i luajtur. Është një vendim që asnjëherë nuk prisja ta merrja kaq herët aq më pak që në këtë moshë por ama është një vendim i cili sado i vështirë, i duhuri për mua pasi ambicie të reja më bëjnë të marr këtë vendim. Është koha për t’i thënë mirupafshim këtij sporti kaq të bukur, por ama dhe këtij klubi që më dha gjithçka si brenda fushe ashtu dhe jashtë saj. Ky klub, nuk më mësoi të jem thjesht një lojtar i mirë por, më dha formë mua si person, më ndihmoi të rritem, më injektoi vlerat sportive, disiplinën, të qëndrosh me këmbë në tokë dhe të imponosh respekt edhe tek ata njerëz që se kanë merituar respektin tënd!

Kam kaluar shumë momente tek ky klub dhe nuk qenka aq e thjeshtë të heqësh dorë. Kam punuar dhe jam përpjekur të stërvitem me profesionalizmin e duhur dhe gjithmonë të jem i hapur kundrejt këshillave apo kritikave të çdokujt. Dhe pse jam person i cili gjithmonë lë të tjerët të më gjykojnë, jam krenar për atë çka mund të kem dhënë për këtë klub ku dhe përtej dështimeve që kam hasur gjatë karrierës, kam mundur të ngrihem dhe më i fuqishëm dhe të jem përherë me kokën lart. Ka qenë një rrugëtim i vështirë por një eksperiencë e paharrueshme. Një falenderim shkon për të gjithë shokët e mi të ekipit, trajnerët dhe stafin ndër vite për mbështetjen dhe këshillat që më kanë dhënë në çdo moment.

Falenderoj gjithashtu tifozërinë e klubit të Tironës, që fal tyre dashuria për këtë klub bëhet akoma më e madhe. Falenderoj miqtë e mi që më kanë qëndruar gjithmonë pranë si në të mirë dhe në të keq. Mbi të gjitha, falenderoj familjen time për të gjithë mbështetjen përgjatë rrugëtimit tim, dhe Zotin që ma ka bekuar këtë rrugëtim. Tërhiqem nga loja e futbollit si lojtari i klubit më të MADH në Shqipëri! Premtoj dhe betohem që tërhiqem nga ky klub vetëm si lojtar, ama në një të ardhme në një pozicion tjetër, nuk do tërhiqem..

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *