Në orën 17:00 ka filluar derbi i parë miqësor mes Tiranës dhe Dinamos. Deri në këto minuta të sfidës është Dinamo që tregon më shumë në fushën e lojës edhe falë cilësive të shtuara në merkaton e verës.
Nëse do të flasim për lojtarin që ka dalluar deri tani, padyshim që është Mihana. Vetëm pak ditë me ekipin e Shkëmbit, por duket sikur ka një jetë me këtë fanellë. Në minutën e 30, Mihana do të lëshonte një predhë me të majtën e tij dhe në cepin e portës, me një ndërhyrje tërësisht të pamundur në dukje, Bekaj do të shpëtonte super golin.
Përgëzimet kanë ardhur për portierin nga të gjithë lojtarët e Tiranës. Më pas Mihana ka vazhduar me lëvizjet e tij, teksa tre minuta më vonë dhuron sërish spektakël, por krosimi i tij i rrezikshëm në zonë nuk u shfrytëzua nga shokët e ekipit për t’i mbajtur shifrat në 0-0. /Sport Ekspres/