Joan Laporta ka mbajtur një konferencë urgjente ditën e sotme, ku ka folur gjatë për gjendjen ekonomike të Barcelonës. Presidenti i klubit katalanas preku gjithashtu edhe temën e largimit të Mesit, duke u shprehur për herë të parë që pas prezantimit të argjentinasit në radhët e PSG-së. Laporta tregon se dëshira ishte e madhe që “pleshti“ të mbetej në Barcelonë, por nga ana tjetër klubi është mbi të gjithë dhe beson se është marrë vendimi i duhur për të mos rinovuar.
“Unë mendoj se ka qenë një marrëdhënie e suksesshme që ka zgjatur shumë vite dhe në fund ajo është përkeqësuar. Prezantimi i tij u ndje i çuditshëm. Si të gjithë tifozët e Barcelonës, edhe unë do të preferoja ta shihja te Barcelona, por ne kemi marrë vendimin e duhur sepse Barcelona është mbi gjithçka. I uroj gjithë të mirat, më pëlqen ta shoh të lumtur, ai e meriton. Tani ndoshta ne do të jemi rivalë dhe si rivalë duhet të merremi me të”, ka deklaruar Joan Laporta./Halit Delibashi-Sport Ekspres/