Historia dhe vetë rrugëtimi i shqiptarëve në gjithë këto vite na ka bërë që të ndahemi në shumë shtete të Europës dhe pjesa më e madhe të përqendrohet larg territorit zyrtar të Shqipërisë. Por nga ana tjetër kjo ka edhe anën e saj pozitive pasi nëpërmjet punës së tyre, prezantohemi në mënyrën më të mirë para të huajve për të treguar vlerat tona.
FC Albania Zurich është një prej klubeve që prezantohet në Zvicër dhe në thelb të saj ka identitetin kombëtar. Duke mos humbur asgjë nga vlerat dhe fryma e Shqipërisë, aktualisht kjo skuadër që luan në Ligën e 4 Rajonale të Zvicrës kërkon ngjitjen në nivelet më të larta. Për të mbërritur te suksesi, “timoni” i është besuar Samir Idrizit.
“Sport Ekspres” ka kontaktuar me trajnerin që i është rinovuar së fundmi kontrata, për të biseduar rreth objektivave të klubit dhe mënyrën sesi sillen në fushë lojtarët e një skuadre që në thelb përfaqësojnë gjithë shqiptarët. “Gjej shumë hapësirë për t’i motivuar lojtarët me frymë kombëtare”, shprehet mes të tjerash Idrizi që gjithashtu na flet edhe për sjelljen e skuadrave zvicerane karshi lojtarëve të rinj shqiptarë.
Rinovimi i kontratës me FC Albania Zurich. Sa përgjegjësi ndien për këtë detyrë që është marrë përsipër dhe çfarë kënaqësie të jep kur shihet se puna vlerësohet?
Kur shikoj që puna ime është ndjekur dhe vlerësuar pozitivisht nga drejtuesit, por edhe ambienti sportiv në klube të tjera, natyrisht që është kënaqësi e madhe për punën e bërë gjatë gjithë kësaj kohe.
Objektivat e klubit. Mendoni se mund të ngjiteni në ligën e tretë? Deri ku mund të shkojë kjo skuadër, ku janë limitet?
FC Albania është një familje sportive e cila drejtohet nga një staf me shumë ambicie dhe i mirë organizuar. Objektivat i kemi që të ngjitemi në ligën e tretë, por sërish nuk jemi të kënaqur nëse nuk realizojmë qëllimin tonë që është ngjitja në ligën e dytë. Unë jam shumë optimist se bashkë do t’ia dalim.
Përfaqësimi i shqiptarëve në Zvicër. Sa shumë e ndiejnë lojtarët peshën e fanellës ose më saktë, të ngjyrave?
Numri i futbollistëve shqiptarë që luajnë në ekipe zvicerane po vjen gjithmonë e më tepër në rritje. Ata janë duke lënë gjurmë dhe shihni ecurinë pozitive të Kombëtares së Zvicrës, Kombëtares së Shqipërisë dhe klubeve ku këta lojtarë po aktivizohen. Unë ndihem krenar që shqiptarët janë “boshti kurrizor” edhe të Kombëtares së Zvicrës.
Ka pasur ndeshje që në drejtimin tënd mund t’i kesh fituar edhe duke i motivuar futbollistët me frymë patriotike, pra duke dalë përtej skemave?
Sigurisht që po, mbase edhe nga shembujt e ndryshëm që na ofron psikologjia sportive. Motivimi dhe nxitja e futbollistëve është që të japin maksimumin në një ndeshje. Është pjesë e pashmangshme në konceptin e një ndeshje, sa i përket skemave të rreshtimit. Unë gjej shumë hapësirë për motivimin e lojtarëve me vështrimin kombëtar.
Po gjendja e talenteve shqiptarë në Zvicër. Do të vazhdojë të jetë ky vendi që furnizon Kombëtaren me më shumë lojtarë?
Akademitë e klubeve për grup moshat në Zvicër po vërshojnë te lojtarët shqiptarë. Mbase ata shohin dhe ëndërrojnë që një ditë të arrijnë në majat e futbollit zviceran dhe më gjerë. Granit Xhaka, Shaqiri, Xhemaili, Mehmedi e te tjerë, janë motivi i tyre dhe sigurisht që disa nga ata do të jenë përfaqësues të ardhshëm të Kombëtares Zvicerane.
Në Europë kemi pasur edhe përballjen mes Partizanit dhe Bazelit. Si i shihni diferencat mes dy vendet në futboll?
Kam shumë interes edhe për zhvillimet e ndeshjeve në kampionatin e Shqipërisë. Shikoj që ka ecuri pozitiv, ngritje cilësore, por realisht që nuk jemi akoma në fazën për t’iu përgjigjur niveleve të ekipieve si Bazeli që është më kualitativi në Zvicër. /Sport Ekspres/