27 KORRIK/ Lindja dhe përjetësia e kapitenit legjendar, Lorik Cana ishte i vetmi lojtar i Shqipërisë që hoqi diplomacinë për “ndëshkimin e tradhtarëve”

Nga Klaudio Ndreca

27 korrik 1983! Familjes Cana do t’i bashkohej Loriku, ndërsa Shqipërisë po i rritej kapiteni legjendar. Ishte lindja e një njeriu që mbetet përjetësisht me shiritin e kapitenit. Disa thonë se lindin “me këmishë”, por Loriku lindi me “shirit kapiteni”. Karriera e tij nuk ka shumë vend për koment pasi të gjithë e njohin.Por ajo që vlen për të përmendur është fakti se ishte ndër rastet e rralla që një lojtar shqiptar zgjodhi me zemër dhe “fiku” punimin e trurit për një moment. Nuk kishte vend për pritje të gjatë që të jepeshin flirtime në distancë me Francën apo Kombëtare të tjera, Shqipëria po e priste.

Në vendet e fundit ku mund të diskutohej për sukses me anë të futbollit në Europë, por po e priste. Kështu edhe Lorik Cana nuk ngurroi më gjatë dhe erdhi menjëherë në Kombëtaren kuqezi. Kualifikimi jonë në Europian dhe Botëror dukej e prekshme dhe reale aq sa historitë me babagjyshin e vitit të ri që shpërdan dhurata në çdo fund vit. Pra, as fëmijët nuk e besonin, pavarësisht se gjithmonë pyesnin në evenimente të tilla: “Po ne përse nuk luajmë”?.

Por nuk kishte asnjë farë rëndësie. Këndimi i himnit me zemër dhe ulërimat e ardhura nga stadiumi ishin gjithë arsyeja se përse Cana luante futboll. Kur pyetej mbi lojtarët shqiptarë që “tradhtuan” Kombëtaret e tjera, kapiteni që zotëron shumë gjuhë të huaja ka bërë diplomacinë në media, pasi e njeh mirë. Por tifozët e dinë edhe më mirë qëndrimin e tij pasi rrëmbeu mikrofonin në stadium pas ndeshjes: “Hej, thuajeni të gjithëve. Nuk ndërrohet KOMBËSIA, nuk shitet SHQIPTARIA”. Ju kujtohet apo jo? E sigurisht, çfarë pyetje!

Prakitikisht Lorik Cana ishte i vetmi lojtar i Shqipërisë që gjendej në Youtube. Nëse kërkoje për futbollistët tanë, të rralla ishin rastet kur mund të gjeje video nga momentet e tyre më të mira që kishin shikime të pafundme. Ndryshe nga tani ku mund të kërkosh për Armando Brojën, për Myrto Uzunin, për Rei Manajn, për Elseid Hysajn, për Berat Gjimshitin, për Thomas Strakoshën e shumë të tjerë. Për Lorikun gjeje me shumicë! Gjeje lehtësisht edhe sesi Nasri, Valbuena dhe Ribery uleshin për të dëgjuar fjalimin e Canës. Gjeje lehtësisht sesi “gërshëra elektrizuese” ngrinte në peshë dhe tifozët dhe pas tyre vinte menjëherë reagimi i Lorikut, me një gjest që të fitonte zemrën.

Tipiku i një shqiptar gjaknxehtë që nuk bën dallimin mes një ndeshje të rëndësie të madhe apo të vogël, është gjithmonë aty duke futur edhe zemrën që të përjetojë fitoren, humbja nuk njihet. Por edhe në rastet kur Kombëtarja humbiste, Lorik Cana nuk i njihte daljet emergjente për të shmangur mediat: “Është faji im”. Ndërsa kur Shqipëria fitonte, ishte i fundit që kërkonte meritat.Lorik Cana ishte “fajtori” që i bëri tifozët shqiptarë që të ndiqnin edhe ndeshjet e Nantes në Francë pasi Lacio as që llogaritej që u kthye në ekipin më të dashur në Itali. Kulmimi i përrallës së bukur ishte në transfertën me Armeninë. Shqipëria ishte pranë kualifikimit në Europianin e Francës, por rrezikohej dështimi pasi dukej kaq shumë e bukur për të qenë reale.

Shumëkush që do të shikojë rezultatin e atij takimi nga brezi më i ri do ta mendojë si një “fushë me lule”, por realisht nuk ishte e tillë. Menjëherë pas ndeshjes Lorik Cana shpërtheu në lot dhe përqafoi presidentin e FSHF, Armand Duka: “Ia dolëm”. Dukej çmenduri më herët, por Shqipëria ndodhej për herë të parë në Europianin e Francës. E siç ndodh përherë fati nuk është në anën e të drejtëve. Ndeshja e parë me Zvicrën dhe i ndodhur në një moment kur Lorik Cana duhej të zgjidhte mes vetes dhe Kombëtaren, zgjodhi sërish Kombëtaren. Vendime që merren në të qindat e sekondit, por nëse bëhej fjalë për ngjyrat kuqezi truri nuk punonte dhe zemra çohej peshë.

Kështu do të sakrifikohej për të humbur ndeshjen me Francën, për të qenë i gatshëm me Rumaninë. Trajneri De Biazi e la jashtë për hir të perfeksionit që po dhuronte Mavraj-Ajeti. Italiani i kërkon të dalë në nxehmje dhe Loriku i heshtur, pa hapur asnjë polemikë, ngrihet si të ishte një futbollist i ri dhe jo në fundin e karrierës. Një jetë që luftonte për të pamundurën dhe kur e arriti, nuk e shijoi plotësisht. Nuk kishte rëndësi për të para Kombëtares. Gjithmonë modeli dhe shembulli i duhur për gjithë brezat që e pasojnë, por nënat shqiptare nuk mund të lindin lehtë një Lorik Cana.

Në fund mbahet mend sakrifica dhe ajo se çfarë ke dhënë për kombin tënd. Askush nuk do e kujtojë në Zvicër lojtarë si Granit Xhaka, Valon Behrami, Xherdan Shaqiri. Madje, që në këtë moment kemi të nisur të harrojmë listën e emrave të lojtarëve shqiptarë që zgjodhën helvetët për hir të karrierës së tyre. Por shqiptarët nuk do të harrojnë kurrë një emër legjendar: “LORIK CANA”. Sot ai ka datëlindjen. Mosha e tij ka fare pak rëndësi për ne pasi është i përjetshëm. /Sport Ekspres/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *