Nga “skarco” në “legjendë” të ndan vetëm një fanellë! Kritikojmë trajnerët e Shqipërisë, si rasti Rei Manaj na futi në “grackë”

Nga Klaudio Ndreca

Shpeshherë dëgjojmë nga mediat dhe tifozët që kritikojnë trajnerët e Kombëtares që nuk thërrasin lojtarët kur janë në Shqipëri, por i marrin menjëherë sapo shkojnë jashtë territorit tonë. “Përse Uzuni nuk u thirr kur ishte në Superiore, por sapo iku te Lokomotiva e Zagrebit? Përse nuk kishte vëmendje për Muçin te Tirana sa ka te Legia?”. Pra duke treguar rastet që ndodhin brenda një periudhe kohe fare të shkurtër, ku lojtarët nuk kanë as mundësinë për t’u përmirësuar më tepër, veçse kanë ndërruar fanelln që përfaqësojnë.

Por rasti i Rei Manajt na tregon “grackën” ku jemi futur për autogolin rreth çështjes së komentuar më sipër. Po flasim për po të njëjtin futbollist që në datën 20 korrik komentohej si skarco aq sa edhe Famalicao mendohej dy herë për ta blerë. Këtu nuk po flasim vetëm për mendimin e tifozëve, por edhe qëndrimit të mediave. Askush nuk mund të pretendojë se aftësitë e Rei Manajt kanë ndryshuar nga data 20 korrik në 25 korrik, por të gjithë janë të ndërgjegjshëm se imazhi i këtij sulmuesi ka ndryshuar në mënyrë drastike në këto 5 ditë.

Papritur nga “skarco” Manaj kthehet në një figurë me peshë të jashtëzakonshme për Shqipërinë në Europë. Ishte lojtari i parë që i parë që debutonte me Barcelonën A dhe realizoi 3 gola brenda 45 minutave. Pak rëndësi për emrin e kundërshtarit, në një herë të parë do të futesh gjithmonë në librat e historisë. E si për të vërtetuar të gjitha ato dyshime mbi cilësinë e rivalit modest, Manaj kthehet për të shënuar të vetmin gol me aksion të rregullt nga ana e Barcelonës ndaj Gironas.

Përveç futbollistit shqiptar kanë ardhur edhe dy gola nga pika e bardhë e penalltisë, ku asnjë prej yjeve nuk tundi dot rrjetë. Pra në thelb mund të themi se fanella e ekipit A të Barcelonës po i jep një “hije të rëndë” Manajt. Me statistikat e një goli të shënuar në 17 minuta, nëse lojtari do të vazhdojë që të jetë pjesë e katalanasve edhe në sezonin e ardhshëm, te Kombëtarja do të kthehet me hijen e liderit të vërtetë ku do të fokusoheshin të gjithë kundërshtarët. Rei Manaj mbetet po ai, që të gjithë kemi kritikuar dhe shpeshherë nënvlerësuar në kulm, por pesha e tij ka ndryshuar. Sigurisht, deri në momentin që Koeman e mban në skuadër… /Sport Ekspres/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *