E bujshme/ Laçi lë pa punë Bledar Kolën, në Rumani shkarkojnë menjëherë trajnerin grek të Craiova

Surpriza pozitive e mbrëmjes së djeshme nga ekipet shqiptare ishte fitorja e Laçit në shifrat 1-0 me Craiova-n. Këta të fundit drejtoheshin nga trajneri grek Marinos Ouzounidis, që gjithmonë në krahun e tij mban emrin e njohur të futbollit shqiptar, Bledar Kola. Por udhëtimi i tyre në Shqipëri ishte njëkohësisht i fundit në Europë me stemën e Craiova-s. Vetëm para pak minutash klubi rumun ka shpërndarë zyrtarisht njoftimin se trajneri grek është shkarkuar nga drejtimi. Mes falënderimeve për sjelljen e Kupës së Rumanisë dhe Superkupës në kabinet, kundërshtarët nuk mund ta përtypnin lehtë humbjen nga Laçi.

Tifozët e kanë cilësuar si turpëruese dhe reagimi i ashpër i tyre ka shtyrë drejtuesit e klubit që të mos e presin ndeshjen e kthimit. Padyshim që shorti në turin e tretë me Anderlehti ka ndikuar jo pak në këtë pjesë. Teksa të gjithë e kishin kthyer vëmendjen dhe po përgatiteshin për gjigandin belg, harruan se fillimisht duhej të kalonin Laçin. E gjithë kjo situatë shkon në favor të kurbinasve që mund të shfrytëzojnë momentin e keq të rumunëve për të kaluar më tej. /Sport Ekspres/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *