“Dhurata e shtrenjtë” që nuk u kërkua nga askush? Rasti i Hasanit te Partizani, Daja nuk heq dorë nga idetë e tij për asgjë

Ilir Daja nuk heq dorë nga idetë dhe skemat e tij për asnjë arsye të vetme. Në klubin e Partizanit do të bashkohej Ferhan Hasani, lojtari i shumëkërkuar dhe që cilësohej si luks i madh për futbollin shqiptar. Fillimisht teksa i bashkohej klubi kryeqytetas, Hasani erdhi i dëmtuar. Por edhe pse javët kalonin nuk do të shihej në fushën e blertë, ndërsa Daja do të shprehej: “Ka qenë i dëmtuar dhe ne nuk duam ta rrezikojmë. Një tjetër dëmtim do të ishte fatal, po e mbajmë për momentet delikate”.

Duke parë vazhdimin dhe fundin e historisë, rezultoi se e gjitha kjo ishte formulimi i Ilir Dajës për të hequr presionin mediatik dhe atë të tifozëve. Trajneri nuk e preferonte Hasanin në formacion, ndërsa zgjedhja ishte më shumë taktike se e detyruar. Vetë intervista e dhënë nga ana e futbollistit për “Sport Ekspres” pas largimit e tregon këtë gjë: “Jo jo, janë justifikimet e trajnerit ato. Unë vetëm në fillim kur shkova te Partizani isha i dëmtuar. Nëse do isha i dëmtuar deri vonë nuk do të shkoja te Kombëtarja”, tha Hasani.

Si zakonisht në Shqipëri ngrihen dyshime nëse mund të jetë krijuar një “lojë” e tillë në mënyrë që Partizani të hiqte barrën ekonomike të rrogës që paguhej Hasani. Por sërish lojtari ka konfirmuar për “Sport Ekspres” se Olsi Rama bëri gjithçka që të mos ndodhte largimi. Megjithatë vendimi ishte i prerë dhe lidhej me faktin se nuk mund të pranohej kurrsesi ulja në stol.

Drejtori i Partizanit, Rama, tregonte me krenari disa kohë më parë sesi në Maqedoninë e Veriut do të çuditeshin kur të merrnin vesh se Hasani qëndronte në stol në Shqipëri. Pra si për të treguar kjo konkurrencën e madhe te kryeqytetasit. Por ajo që mund të kuptohet nga e gjithë historia është se Ferhani ka ardhur si një dhuratë luksoze pa aprovimin e Ilir Dajës, me emrin e tij dhe CV e pasur, duke e marrë të mirëqenë dëshirën e trajnerit për ta pasur në organikë. Vetë zgjedhjet më vonë e treguan se Daja e shmangte aktivizimin e Hasanit, ndërsa “dhurata e shtrenjtë” shkoi më kot.

E vërteta është se Buba nuk la shenjë te Partizani, po aq sa e vërteta tjetër se nuk pati hapësirën e duhur nga fillimi për t’u ambientuar dhe shkrirë me grupin që të shpaloste aftësitë e tij. Pra në linja të përgjithshme bashkëpunimi Daja-Rama nuk ka qenë më i miri i mundshmi në këtë rast, me pagesat “e kripura” që shkuan dëm kur planet ishin të tjera. /Sport Ekspres/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *