Anglia vështron për të marrë lojtarin e Shqipërisë, një tjetër talent i pastër vjen nga “vendi i Brojës”

Talentet e futbolli shqiptar i kemi në mbarë Europën dhe së fundmi edhe Anglia është shndërruar në një “minierë” talentesh kuqezi. Nga emra si: Broja, Dobra, Bajrami, Mehmeti apo ndonjë tjetër pritet shumë në të ardhmen. Por një tjetër talent ka dalë në skenë së fundmi nga ishulli britanik, quhet Erion Zabeli.

I datëlindjes 08.09.2004, djaloshi ende nuk i ka mbushur 17 vjeç. Me origjinë nga Kosova, shtatlarti po hedh hapat e parë drejt një karriere profesioniste. I dalur nga moshat e Watford United, së fundmi ai ka firmosur me ekipin tjetër të njohur anglez, Oxford United. Ofertat kanë qenë të shumta në drejtim të Zabelit, nga skuadra si Milan, Benfica ,West Ham ,Totenham dhe ekipe të ndryshme angleze dhe evropiane, por mundësia për të marrë sa më shumë minuta tek Oxford ka nxitur mbrojtësin të nënshkruajë me këtë skuadër.

Zabeli me një shtatlartësi për tu pasur zili nga sportistët, numëron mbi 1.90 cm fizik dhe aktivizohet në rolin e qendërmbrojtësit, por edhe në atë të krahut të djathtë. Forca e tij fizike, por edhe eleganca si edhe përdorimi i mirë i topit ka bërë që të bie edhe në syrin e ekspertëve anglezë. Duket se Erioni i plotëson atë se çfarë mund të kërkohet nga një mbrojtës modern në futbollin e sotëm. Ku përveç egërsisë dhe forcës kërkohet edhe teknika si edhe vizioni për lojën që është një element shumë i rëndësishëm sot.

Lojtari nuk i ka shpëtuar vëmendjes së FSHF ku shpesh ka dërguar ftesa për grumbullim në adresën e tij. Dhe Zabeli është aktivizuar vazhdimisht me grupmoshat U-16 dhe U-17 të kombëtares sonë.  Së fundmi ai ka qenë edhe pjesë e grumbullimit të kombëtares U-19 të drejtuar nga Armando Cungu duke shfaqur vlerat e tij me paraqitje shumë pozitive. Gjë që ka ngjallur edhe interesin e federatës angleze që po vëzhgon ecurinë e Zabelit.

Rruga dhe vështirësitë për të pasur sukses patjetër që janë të mëdha. Por 16-vjeçari duket se po i hedh hapat një e nga një për të qenë një lojtar i madh në të ardhmen dhe pjesë e kombëtares sonë të futbollit. /Endri Cinari-Sport Ekspres/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *