“Zihen dy vetë dhe fiton një i tretë”! I vetmi shans për Partizanin kampion, përfitim nga lufta mediatike

Në një moment ku vetëm pak ditë na ndajnë nga java e fundit e Kategorisë Superiore, lufta mediatike ka nisur të jetë e ndezur. Si asnjëherë më parë në tre qytete do të luhet për një qëllim të vetëm, fitimin e titullit kampion. E gjithë vëmendja është hedhur te Vllaznia dhe Teuta, ku kanë filluar të llogariten të gjithë skenarët e mundshëm se si trofeu mund të bëhet i tyre.

Apolonia është e vetmja skuadër që nuk ka asnjë objektiv të mërkurën, prandaj opinioni sportiv dhe tifozët po kërkojnë të jepet maksimumi në fushë nga fierakët. Një mënyrë e mirë kjo për të motivuar këtë Apoloni të rënë nga kategoria për të bërë surprizën më 26 maj. E në një skenar të tillë të gjithë shohin kampion Vllazninë, teksa lufta është e përqendruar vetëm te Teuta dhe shkodranët.

Por në këtë histori është harruar një tjetër aktor po aq i rëndësishëm, Partizani. “Kur zihen dy vetë përfiton një i tretë”, një shprehje kjo që i shkon mjaft për shtat të kuqve në këtë moment. Kjo luftë mediatike në distancë mes Vllaznisë dhe Teutës është i vetmi shans për Partizanin që të shpallet kampion.

Motivimi i ambientit sportiv dhe tifozëve për Apoloninë mund të japi efekt dhe të mërkurën të ketë surprizë ndaj durrsakëve. Ndërkohë në krahun tjetër kemi një Laç që është ende në lojë dhe një fitore e kuqebluve kurrsesi nuk mund të jetë e sigurt, aq më tepër kur shohim takimet kokë më kokë të zhvilluara përgjatë këtij sezoni. E në një hipotezë të tillë i vetmi i buzëqeshur është Partizani, që me një fitore në Ballsh do të mund të ngrinte lart trofeun e titullit kampion të Kategorisë Superiore./Halit Delibashi-Sport Ekspres/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *