Kombëtarja shqiptare e 17-vjeçarëve është mundur me rezultatin minimal 0-1 nga Bosnje-Hercegovina në miqësoren e dytë të luajtur paraditen e të premtes në stadiumin “Niko Dovana” të Durrësit. Një rezultat i padrejtë për atë çfarë skuadrat kanë treguar në fushën e lojës, por në fund miqtë ia dolën të shënonin një gol në minutat e fundit të sfidës, duke dalë fitimtarë nga kjo miqësore.
Goli i boshnjakëve erdhi në minutën e 88-të me anë të Tabakoviç, i cili shfrytëzoi një top në zonën e vogël, duke goditur me të djathtën e duke mposhtur portierin Totoshi. Vetëm pak minuta më parë (82’) kuqezinjtë patën një rast të artë kur topi i goditur me kokë nga Endri Dama u përplas në shtyllën e djathtë pingule të portierit mik. Por skuadra e drejtuar nga Ervin Bulku ka pasur edhe raste të tjera për gol gjatë ndeshjes, por nuk arriti të finalizonte.
Shqipëria zbriti në fushën e lojës me këtë formacion: Totoshi; Muça, Gjinovci, Haxhari, Kurti; Syla, Kasa, Zaganjori, Xhixho, Shtraza; Guci. Gjatë ndeshjes u aktivizuan edhe lojtarët Gjergji, Kashari, Tahiri, Koleci, Ageja, Tahiraj, Hasanago dhe Dama. Kjo ishte ndeshja e dytë miqësore brenda pak ditëve ndaj Bosnje-Hercegovinës për Kombëtaren U-17, teksa sfida e parë e luajtur në “Elbasan Arena” përfundoi në barazim 0-0.
Këto ishin dy testet e para të vërteta për trajnerin Bulku, qysh prej marrjes së kësaj detyre në fillim të këtij viti. Tekniku ka pasur mundësi të zhvillojë disa seleksionime me lojtarët e grup-moshës U-17 gjatë muajve të fundit, ndërkohë që këtë herë pati mundësinë të shikonte lojtarët në aksion në një ndeshje ndërkombëtare. Kuqezinjtë vazhdojnë përgatitjet për turneun eliminator të muajit nëntor, që do të zhvillohet në Irlandën e Veriut ku skuadra jonë do të ketë përballë vendasit, Italinë dhe Skocinë.