Kryesfida e kësaj jave të Superiores ishte përballja mes Laçit dhe Vllaznisë. Kjo përballje ka përfunduar në shifrat 0-0. Shkodranët e nisën me marsh të pestë teksa Sise mund të dërgonte ekipin e Brdaric në avantazh, por portieri i Lacit ishte i saktë në reagimin e tij.
Vllaznia e kërkoi më shumë golin në pjesën e parë, e në të dytën tabloja i përkiste kurbinasve. Harmon do të gabonte tërësisht me shenjëstrimin në minutën e 50 duke e dërguar topin shumë larg portës, megjithëse kishte shansin e artë për të kaluar Laçin në avantazh. E teksa kurbinasit përplasën brirët me Vllazninë për paqen, Teuta përfitoi nga krahu tjetër duke mundur Apoloninë me golat e Vilës dhe Bregut. Më poshtë gjeni edhe intervistat e protagonistëve:
Martini (Teuta): “Apolonia nuk bëri asgjë gjuajtje në portë? Ishte merita jonë, jo e paaftësisë së kundërshtarit. E kishim ndjekur ndeshjen me Tiranën dhe u shqetësuam shumë nga ato 60 minutat e tyre. Nuk më intereson shumë se çfarë bëhet mbrapa shpinës tonë, nuk i shoh ekipet e tjera. Ajo që më gëzon shumë te ekipi është geni që kanë lojtarët ku edhe në momentet që mund të kenë tension, ata janë shumë të qetë”.
Brdariç (Vllaznia): “Si fillim dua t’i jap komplimente djemëve që luajtën mirë kundër Laçit dhe u mbrojtën në mënyrën e duhur. Jemi mundur që të luajmë në kundërsulm, e kishim menduar në këtë mënyrë dhe jam i lumtur për zgjedhjen e bërë. Kemi pasur mundësi, shpërdoruam dhe duhet të përmirësohemi më tepër në këtë pjesë. Superiorja është kampionat i vështirë, kemi bërë fazë të mirë dhe kundërshtarët kanë qenë të përgatitur. Mungon besimi te lojtarët dhe na mungon finalizimi. Na mungon besimi në fazën sulmuese. Duhet të vertikalizojmë më shpejt”.