Idi Batha është një nga lojtarët më të spikatur te Tirana, ku me eksperiencën dhe grintën e tij mban një peshë të madhe në mesfushën bardheblu. Kapiteni i kryeqytetasve ka shuar ditën e sotme kureshtjet e shumë tifozëve, teksa i është përgjigjur pyetjeve të tyre gjatë një video live të zhvilluar në klubin me të cilin luan. E shkuara, e ardhmja, tifozeria, ekipi i zemrës e deri te ftesa e Kombëtares, Batha rrëfehet në 360 gradë.
Tirana apo Partizani? “Nuk jam tip që hedh poshtë të kaluarën time, sepse i bie që të hedh poshtë shokët që i kam pasur dhe që i kam akoma ndoshta. Por që të jem i sinqertë përvoja më e bukur është marrja e titullit kampion, që i bie të jetë me Tiranën. Me Partizanin nuk e arrita, por kam kaluar momente të bukura edhe atje”.
Për çfarë do e lija Tiranën? “Tiranën nuk kam arsye për ta lënë. Për t’ju përgjigjur pyetjes, sigurisht që për një ekip shumë herë më të mirë dhe për një kontratë shumë herë më të mirë jashtë vendit”.
Titulli kampion? “Pse të mos besojmë? Kur besonim kur ishim 16 pikë larg… Tani jemi vetëm 5 pikë. Prapë janë shumë, por besoj. Shumë i çuditshëm është si kampionat, sepse mund të lësh pikë atje ku nuk e pret dhe mund të fitosh atje ku të duket më e vështirë. Është kampionat shumë i vështirë, por kam shumë besim te çunat që kam në krahë”.
Fanatiks apo Guerrils? “Të dyja tifozeritë i japin lezet njëra-tjetrës. Pa njërën nuk do kishin emrin që kanë të dyja. Në një qytet të dyja tifozeritë thonë që ka vend vetëm për një emër, por mendoj që rivaliteti i tifozëve ka zbukuruar derbin, qytetin, futbollin. Të dyja plotësojnë njëra-tjetrën dhe janë shumë të forta“.
Ekipi i zemrës? “Ekipi i zemrës sime është Interi. Më pëlqen Interi sepse është ekipi i çmendurve. Është ekip që vetëm ai mund ti bëjë ato që ka bërë. Këtë sezon nuk ka bërë ndonjë hata të madhe, por mbaj mend Interin që humbiste 2-0 dhe i kthente ndeshjet në 3-2. Unë atëherë jam bërë tifoz, në kohën e Ronaldos“
Kombëtarja: “Të jem i sinqertë, ka pasur raste kur e kam merituar një ftesë nga ekipi kombëtar, por që siç jam unë ka dhe shumë të tjerë që e presin këtë mundësi. janë gjëra që ndodhin në futboll. Të gjithë futbollistët duhet të presin. Ka nga ata që presin shumë, ka nga ata që nuk i vjen telefonata kurrë, ka nga ata që e marrin telefonatën me fat, ndoshta që nuk e meritojnë para të tjerëve. Sigurisht, janë pjesë të futbollit edhe këto”, kanë qenë përgjigjet e Idi Bathës./Halit Delibashi-Sport Ekspres/