Jurgen Çelhaka është një nga thesaret më të çmuar të Tiranës. Pavarësisht moshës së re, mesfushori i talentuar ka arritur të kthehet në një nga elementet kyçe të skuadrës bardheblu. Futbollisti 19-vjeçar ka shuar ditën e sotme kureshtjet e tifozëve, duke iu përgjigjur pyetjeve të këtyre të fundit nëpërmjet një videoje të shpërndarë nga kanalet zyrtare të klubit të Tiranës.
Idhulli në futboll: “Idhulli im në futboll është Andrea Pirlo. Mendoj që është mesfushori më i mirë në historinë e futbollit. Prandaj e mbaj edhe numrin 21“.
Sa e ndjen fanellën e Tiranës: “Unë vij nga Akademia. Kam ardhur që 13 vjeç te Tirana. E ndjej shumë si fanellë, pasi është si një familje e dytë. Ishte zgjedhja ime Tirana, pasi kam qenë tifoz që i vogël“.
A do firmosja me Partizanin nëse ofrojnë më shumë? “Jo, nuk e mendoj fare Partizanin. Mendoj se asnjëherë nuk do luaj për Partizanin në respekt të tifozëve dhe klubit që më ka ndihmuar të jem këtu ku jam. Vetëm në momentin që nuk do jem më i denjë për këtë klub dhe që të më largojnë vetë, atëherë do të largohem nga Tirana”.
Marrëdhënia me Muçin: “Gjithmonë kam pasur marrëdhënie të mira me Muçin. Kemi luajtur edhe te moshat, edhe në ekip të parë. I uroj suksese. Shpresoj që një ditë të takohemi në Kombëtaren A, megjithëse tani takohemi te Shpresat“, është përgjigjur ndër të tjera Jurgen Çelhaka./Halit Delibashi-Sport Ekspres/