Drejtuesit e Juventusit nuk janë zgjuar me lajme të mira mëngjesin e sotëm, ku në mediat italiane 3 futbollistë kuqezinjë kanë qenë në qendër të vëmendjes. Mekeni organizoi një festë në shtëpinë e tij, ku ndër të tjerë të pranishëm ishin edhe dy shokët e tij të skuadrës, Artur dhe Paulo Dibala. Kjo bie ndesh me rregullat anti-covid, duke bërë që lojtarët të tërheqin vëmendjen negativisht në Itali.
Drejtuesit e klubit bardhezi kanë menduar të gjobisin tre futbollistët e tyre, por ky me shumë mundësi nuk ka për të qenë i vetmi dënim. Andrea Anjeli mund të vendosë të pezullojë lojtarët e tij për derbin kundër Torinos. Një vendim i tillë nuk do të ishte aspak i bukur për Dibalën, i cili sapo la pas dëmtimin e gjatë, nuk do e mirëpriste një pezullim nga klubi.
Megjithatë gabimi është gabim dhe këtë argjentinasi e di mirë. Dibala ka marrë përsipër përgjegjësitë për veprimin e tij dhe falë një postimi në rrjetin e tij social në “Instagram” kërkon falje për shkeljen e rregullave të Covid, por nga ana tjetër mohon të ketë ndodhur një festë në shtëpinë e shokut të tij të skuadrës.
“E di që në një moment kaq të vështirë në botë prej Covid-it do të kishte qenë më mirë të mos bëja gabime, por gabova të qëndroja jashtë për darkë. Nuk ishte një festë, por gjithsesi bëra një gabim dhe kërkoj falje”, komunikon Paolo Dibala./Halit Delibashi-Sport Ekspres/