Nga Klaudio Ndreca
Emiliano Bullari, ky ishte emri më i përfolur në mediat shqiptare dhe greke disa kohë më parë. Talenti i Olimpiakosit është krahasuar edhe me Zlatan Ibrahimovic falë fizikut të tij dhe njohjes së mirë që ka më portën. Për të afruar këtë futbollist te Shqipëria është dashur edhe angazhimi i vetë trajnerit Alban Bushi, që është përpjekur së tepërmi për të mposhtur konkurrencën me Greqinë. Madje ky lojtar do të vendoste edhe rekord teksa për herë të parë Shqipëria U-21 merrte në gjirin e saj një djalosh që nuk shkonte më shumë sesa 17 vite të kaluara.
Shumë mbresa të lëna me të rinjtë e Olimpiakosit, por nuk mund të merrte menjëherë hapësirën në ekipin e parë. Po flasim për ekipin që po kryeson bindshëm kampionatin në Greqi dhe po fiton titullin, ndërsa hapësirat për talentet e rinjë janë të kufizuara. I kërkuar nga Roma, Juventusi dhe një ekip në Angli për ta nisur nga grupmoshat, disa probleme më tepër në pjesën burokratike nuk kanë bërë të mundur që marrëveshja të mbyllej. E për këtë arsye u mendua kalimi te Atromitos.
Kjo skuadër ka prodhuar gjithmonë sulmues kualitativ për Europën ku mes tyre na duhet të veçojmë Mitroglu. Asokohe trajneri austriak i Atromitos, Damir Canadi, i kishte premtuar shumë Emiliano Bullarit për t’ia bërë këtë aventurë që t’i dukej e jashtëzakonshme.
Por vetëm 24 orë pas nënshkrimit të marrëveshjes, trajneri Canadi do të grindej me dy futbollistë të ekipit të tij dhe do të përjashtohet nga presidenti i klubit. Këtu nis edhe periudha jo e mirë e Bullarit. Klubi mendoi të merrte përkohësisht trajnerin grek Savas Pantelidis për të mbyllur këtë kampionat, ndërsa në verë do të kërkojnë për një teknik më të njohur.
Pantelidis me CV e tij aspak bindëse, nuk i ka dhënë asnjë mundësi të vetme Emiliano Bullarit që të tregojë veten, pavarësisht se kalimi i tij u projektua në të tjetër mënyrë. Një zgjedhje e palogjikshme e trajnerit 55-vjeçar që nuk arrin të shoh atë që të gjithë e vëzhgojnë me sy të lirë, talentin e Bullarit.
Nëse aktivizimi me Atromitos do të ndodhte, atëherë me shumë gjasa do të kishim edhe grumbullimin e këtij sulmuesi në Kombëtaren A pasi trajneri Reja ruan një dashamirësi të veçantë për talentin në fjalë. Tekniku italian është interesuar në shumë raste për gjendjen e sulmuesit duke projektuar të ardhmen e Kombëtares me të, ndërsa e kërkoi vetë për ta marrë në grumbullimin e fundit që kanë zhvilluar kuqezinjtë. /Sport Ekspres/