Bisedoi edhe me trajnerin e Suedisë, Astrit Selmani merr zgjedhjen përfundimtare: I peshova të gjitha

Astrit Selmani ishte një tjetër emër i komentuar gjerësisht në media sa i përket Kombëtares që do të zgjidhte, teksa ishin dy variante si mundësi. Sulmuesi 24-vjeçar shkëlqeu me Varberg në Suedi duke realizuar 15 gola në 24 ndeshje, ndërsa tani ka bërë kalimin te Hamarby, në klubin e njohur për shkakun se Zlatan Ibrahimovic ka një pjesë të madhe të aksioneve.

Për këtë lojtar kishte interes të madh nga Kosova, ndërsa Shqipëria nuk u shfaq më shumë pasi ky repart është i mbyllur dhe ka mjaftueshëm furnizime në Kombëtaren kuqezi. Ndërkohë Selmani pati një bisedë edhe me trajnerin e Suedisë, Stefan Peterson.

Tekniku i Suedisë i ka kërkuar kohë Selmanit duke pritur që të lërë gjurmë te Hamarby, për të diskutuar më pas ftesën. Por sulmuesi 24-vjeçar ka marrë vendimin përfundimtar dhe zgjodhi Kosovën. Madje Selmani do të ishte pjesë e listës në këto ndeshjet të muajit mars. Megjithatë prekja nga COVID së bashku me 15 lojtarë e tjerë te Hamarby do t’i ndryshonte planet.

“Po, do të isha pjesë e Kosovës në kualifikueset e Botërorit. Zgjedhja është bërë, tani vetëm duhet të përqëndrohem në ndeshjet e së ardhmes. Ishte një zgjedhje e rëndësishme për mua, i peshova mirë të gjitha gjërat. Trajneri i Suedisë? Asgjë! Folëm vetëm njëherë së bashku dhe që nga ajo kohë kam biseduar vetëm me Kosovën”. Në Suedi kanë kontaktuar edhe trajnerin Peterson mbi vendimin e Selmanit, por tekniku nuk ka dhënë asnjë koment. /Sport Ekspres/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *