Çështja e Zymer Bytyqit ka bërë jehonë në Serbi. Media e njohur serbe, “Kurir“, ka bërë një shkrim për mesfushorin shqiptar, duke kërkuar të nxisë përçarje mes Shqipërisë dhe Kosovës. Futbollisti 24-vjeçar ka zhvilluar një takim miqësore me përfaqësuesen dardane, por së fundmi duket se ka shprehur dëshirën për tu veshur kuqezi. Kjo ka bërë që “Kurir“ të shkruajë për “një luftë të ashpër“ mes Tiranës dhe Prishtinës. Madje sipas medias në fjalë, shqiptarët nuk janë ashtu siç paraqiten në sytë e botës.
“Jo gjithçka është aq idilike midis shqiptarëve sa ata duan të paraqiten përpara botës. Duket e pabesueshme, por e vërtetë, shqiptarët luftuan ashpër mes tyre. Shqiptarët nga Shqipëria dhe shqiptarët nga e ashtuquajtura Kosova filluan një luftë të hapur për futbollistin Zymer Bytyqi.
Nga Prishtina, ata thonë se nuk do të ulen duarkryq, sepse ata morën “besën” nga Zymer Bytyqi se ai do të luajë vetëm për ta. Shkëndijat midis Tiranës dhe Prishtinës janë shfaqur tashmë në mediat lokale, kështu që pritet që ato të intensifikohen në ditët në vijim“ shkruan ndër të tjera “Kurir“./Halit Delibashi-Sport Ekspres/