Ekipi U21 është grumbulluar ditën e sotme, teksa do të zhvillojë dy takime miqësore, njëri prej të cilëve do të jetë kundër Tiranës. Për herë të parë ka mbërritur ftesa edhe për lojtarin e Apolonisë, Mario Gjata, i cili ishte sot i pranishëm në konferencën për shtyp. Lojtari i fierakëve është shprehur se dëshira e tij e madhe është të jetë pjesë e Kombëtares A, ndërsa si shembull ndjek Bekim Balajn.
“Për skuadrën ku luaj aktualisht, Apolonia, ndihem pak i mërzitur për situatën, jemi në vend të fundit. Për pjesën e Kombëtares jam shumë i kënaqur, sepse kam marrë ftesën e parë nga U21 dhe është një kënaqësi e madhe për mua. Për çdo lojtar Kombëtarja është një ëndërr. Gjithashtu ëndrra ime është të luaj në Kombëtaren A. Sa për pjesën e lojtarit që pëlqej më shumë, besoj se është Bekim Balaj. Përshtatet me lojën time.
Jam shumë me fat që jam pjesë e këtij grupi. Të gjithë lojtarët që janë këtu e meritojnë, si Ismajlgeci, Çelhaka, Cara që kanë marrë shumë minuta në ekipet e tyre dhe kanë bërë mirë. Objektivi im tani është që Apolonia të qendrojë në Superligë. Nëse kjo ndodh, atëherë pse jo, të provoj një eksperiencë të re jashtë. Ngacmime me Ismajlgecin dhe Çelhakën për ndeshjen me Tiranën? Ngacmime nuk kemi, por i them që nuk do ta kenë të lehtë“, ka deklaruar Mario Gjata./Halit Delibashi-Sport Ekspres/