Marçelino Preka është një nga talentet më me perspektivë që aktivizohen në kampionatin shqiptar, i cili aktivizohet me ekipin e Bylisit, duke qenë një element premtues në repartin e mbrojtjes. Bie në sy shpejt pasi është 190 cm i gjatë dhe vetëm 17 vjeç.
I riu nga Shkodra tregon në një intervistë për rubrikën “Talenti Shqiptar” në Fshf.org hapat e parë në futboll dhe se fesa nga Kombëtarja i ka rritur më shumë vlerësimin dhe besimin në vete, teksa Preka thekson se ndjen më shumë përgjegjësi.
E ardhmja e Kombëtares sipas Marçelinos është premtuese, me lojtarë të rinj dhe të mirë. Ecurinë me klubin, momentet e lumtura, idhujt në Kombëtare, futbollisti i Bylisit dhe i Kombëtares shqiptare i tregon në intervistën më poshtë. Aktualisht, Preka është pjesë e ekipit Kombëtar U-19, që drejtohet nga trajneri Armando Cungu.
– Si lindi dëshira dhe pasioni për futboll? Cili ishte njeriu i parë që të afroi me këtë sport dhe besoi te ti?
– E kam shijuar futbollin fillimisht përmes televizorit, ku shihja ndeshje të ndryshme, të kampionatit shqiptar dhe të huaj. Si shkodran, futbolli ka qenë prezent në çdo kohë në shtëpinë tonë, pasi unë vij edhe nga një familje sportive, ku dy nga pjesëtarët e familjes time mbajnë titullin “Mjeshtër i madh” në futboll. Unë luaja si çdo fëmijë me shokët në shkollë dhe lagje. Bashkëshorti i tezes time më shikonte dhe ai më ka mbështetur shumë që t’i futem kësaj rruge, duke qenë edhe një njohës shumë i mirë i futbollit.
– Si e përjetove momentin kur more ftesën e parë nga kombëtarja e moshave dhe debutimi me ngjyrat kuqezi?
– Pa diskutim që kur mora vesh që do të angazhohesha në futboll edhe me ekipin Kombëtar u ndjeva shumë mirë. Ka qenë ëndërr e imja, kur teksa luaja me shokët futboll në lagje dhe vishja fanellën e një prej futbollistëve të Kombëtares, të vishja fanellën që do të mbante emrin tim. Kjo ftesë më rriti më shumë vetëvlerësimin dhe vetëbesimin, por nga ana tjetër më bëri të kuptoj se tashmë kam përgjegjësi të tjera, më të mëdha dhe duhet të punoj shumë më shumë për të realizuar ëndrrën time të madhe.
– Si e shikoni të ardhmen e Kombëtares së madhe, duke pasur parasysh brezin e lojtarëve që ka aktualisht në ekipet kombëtare të moshave. Deri ku mund të arrijë kjo skuadër, çfarë objektivash mund të realizojë?
– Kemi realisht shumë lojtarë të mirë dhe premtues për të ardhmen dhe besoj se do të bëjmë shumë mirë në kompeticionet europiane si grup. Çdo futbollist duhet të punojë edhe individualisht, të stërvitet, të përgatisë veten për ndeshjet, për lojën. Unë vërtetë besoj se me këtë skuadër që kemi ne do të ecim shumë lart.
– Po për ecurinë me klubin çfarë mendon? A je i kënaqur?
– Si lojtari më i vogël i ekipit, besoj se më është ofruar mbështetja më e madhe, qoftë morale por edhe nga ana e përgatitjes. Unë jam pjesë e një klubi të njohur si Bylis, një klub ku nuk mungon bashkëpunimi dhe ndihem shumë me fat që jam pjesë e këtij ekipi. Jam i kënaqur shumë, po mësoj, po zhvillohem në lojë.
– Cili ka qenë momenti apo episodi më i lumtur në karrierën tënde deri tani? Me kombëtaret e moshave dhe me klubin.
– Ende 17 vjeç jam dhe unë do të veçoja në çdo ndeshje që luaj episode apo momente të bukura. Gjithsesi, do të veçoja ndeshjen kundër Portugalisë. Ndeshje emocionuese dhe e veçantë për mua personalisht.
– Çfarë synimi ke për ë ardhmen?
Synimi im parësor është të bëhem pjesë e Kombëtares A.
– Cili është idhulli yt në kombëtaren ideale? Ose kush është modeli yt në futboll?
– Kombëtarja jonë është e mbushur me emra të mëdhenj dhe janë disa lojtarë që unë i shoh si shembuj në repartin që unë mbuloj. Por gjithsesi, do të veçoja shkodranin tim, Elsi Hysaj.