“Ky derbi për Bashkim Finon”, Demi tregon fjalët e Dajës: Pas dy ndeshjeve ordinere, mu lut që të mos shkoja

Partizani u kthye te fitorja në derbin kundër Tiranës, teksa mundi bardheblutë në shifrat 1-2. Në këtë mënyrë të kuqtë kanë shuar disi kritikat për ekipin që bëri disa zhgënjime, ku nuk mund të harrohet lehtë humbja ndaj Skënderbeut.

Madje edhe presidenti i Partizanit, Gaz Demi, nuk ngurron që ta quaj si një “paraqitje ordinere” atë ndaj korçarëve. Në intervistën e dhënë ekskluzivisht për “Rubrika Sportive në “RTSH”, Demi ka treguar edhe lutjen e Dajës:

“Mërzia akoma nuk më ka ikur, sepse duhet të ishim në vendin e parë. Megjithatë, në derbi ishte një fitore e merituar dhe shpresojmë të ecim përpara. Fitorja në derbi i dedikohet Bashkim Finos, i cili është duke kaluar Covid. Kjo fitore ishte vetëm për atë.

Derbi? Ishte një ndeshje e mirë. Ne e merituam fitoren, kuptohet vlera e trajnerit Daja tek Partizani është e padiskutueshme. Në pjesën e parë duhet të kishim shkuar 2-0, nëse i referohemi rastit të Çinarit që u ngatërrua. Ishte një ndeshje e bukur dhe fitoi më i miri, ne e kishim përgatitur më mirë ndeshjen.

Pas dy ndeshjeve shumë të dobëta, ordinere, sidomos ndaj Skënderbeut, nuk shkova tek ekipi. Ishte një kërkesë e trajnerit Daja, i cili më tha: të lutem mos hajde. Nuk shkova. Kështu që motivimi i takon trajnerit Daja në këtë rast”, ka thënë Demi. /Sport Ekspres/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *