Java e 23-të e Superligës ishte plot surpriza, teksa në skuadrat që shiheshin në letër si favorite për të fituar ndeshjet përkatëse, asnjëra prej tyre nuk arriti të grumbullojë tre pikë. Laçi u ndal në barazim ndaj Apolonisë, Teuta gjithashtu nuk shkoi më larg se barazimi në Ballsh dhe Partizani u mposht në shtëpi nga Skënderbeu. Java e 24-të premton ndeshje mjaft interesante, dy në datën 12 dhe tre në datën 13 mars.
Kukësi do të kërkojë të fitojë 3 pikë mjaft të rëndësishme ndaj Apolonisë dhe të lërë pas momentet negative të javëve të fundit, ndërsa Apolonia do të kërkojë t’i befasojë veriorët dhe t’i afrohet Bylisit në renditje. Në sfidën Vllaznia-Bylis, shkodranët do të kërkojnë fitoren e parë pas 5 ndeshjeve, në mnëyrë që të vazhdojë luftën për titullin kampion. Nga ana tjetër Bylisi gjithashtu do të kërkojë të fitojë pikë në Shkodër.
Ndeshja më interesante e datës 13 mars është derbi Tirana-Partizani që mbetet një përballje historike në Superligës. Derbit e kaluar kanë prodhuar mjaft emocione dhe shpresojmë që edhe kjo sfidë të mos zhgënjejë. Përveç emocioneve të forta që jep kjo përballje, pikët janë mjaft të rëndësishme për të dyja skuadrat në këtë fazë të kampionatit. Tirana i është afruar vendit të parë dhe ndodhet 7 pikë larg, ndërsa Partizani ndodhet vetëm tre pikë larg.
Një fitore e Tiranës do të sillte në skenë një konkurente të re, ndërsa një humbje apo barazim do t’i zbehte shpresat e tifozëve. Nga ana tjetër skuadra e Ilir Dajës do të kërkojë fitoren për të lënë pas rezultatet jo të kënaqshme në tre ndeshjet e fundit. Ndërkohë dy ndeshjet e tjera janë gjithashtu interesante. Skënderbeu do të kërkojë të marë pikë ndaj Laçit në mënyrë që të mos humbë terren ndaj Bylisit të vendit të 7, ndërsa veriorët duan me patjetër fitoren për të vazhduar ëndrrën e titullit kampion. Teuta-Kastrioti është çifti i fundit i raundit të 24-të, me Teutën që do të lërë pas shijen e hidhur të barazimit në Ballsh, ndërsa Kastrioti kërkon fitoren në mënyrë që të mos rrezikohet nga Bylisi. /Elio Hajdari-Sport Ekspres/