Mbrëmja e djeshme shenjoi një moment nervozizmi në kampin e Napolit. Një penallti në sekondat e fundit tronditi të kaltrit, që në fund morën vetëm një pikë nga ai barazim i çmendur 3-3 kundër Sasuolos. Lorenco Insinje u kthye në qendër të vëmendjes, teksa humbi kontrollin mbi nervat e tij. Goditja e tabelave dhe frazat fyese të dala nga goja e tij bënë që në media të raportohej për një zënkë mes tij dhe pjesës tjetër të skuadrës.
Për të qartësuar opinionin publik, klubi i Napolit ka vendosur të dalë me një reagim zyrtar në faqen e tyre zyrtare. Në të shkruhet se shpërthimi i Insinjes erdhi vetëm si pasojë e atij rezultati, pasi raporti i tij me shokët e skuadrës nuk ka ndryshuar.
“Pas lajmit të përhapur nga media të ndryshme, specifikohet se nuk kishte asnjë fërkim midis kapitenit Lorenzo Insigne dhe shokëve të tij të skuadrës. Shpërthimi i lojtarit në minutat e fundit të Sassuolo-Napoli ishte i lidhur vetëm me ndeshjen e guximshme finale“, shkruan klubi i Napolit./Halit Delibashi-Sport Ekspres/