Edmond Dosti ka qenë i ftuar ditën e sotme në emisionin “Fax Sport“ të moderuar nga gazetarja Klevisa Alinani, ku ka folur për ekipin e tij të zemrës, Partizanin. Të kuqtë hodhën një hap fals në mesditë, teksa u ndalën në barazim 1-1 në transfertën me Apoloninë. Problemi për ikonën e skuadrës kryeqytetase është fakti se skuadrës tashmë i mungon një sulmues i mirëfilltë goli në mënyrë që të vilen rezultatet pozitive. Dosti gjithashtu shpërthen për faktin se në Shqipëri afrohen lojtarë të huaj që paguhen me shifra të majme, e në fund nuk arrijnë të bëjnë diferencën në fushë.
“Partizani ka vite që po i mungon një pykë. Tirana bleu dy lojtarë. Erdhën për të bërë diferencën. Për mendimin tim është një blerje e nxituar dhe e gabuar. Por mua më rreh zemra aty ku unë dua më shumë, Partizani. Ia kam thënë edhe Dajës dhe drejtorit, që duhet të shikojmë të paktën për vitin tjetër. Partiani duhet të marri të paktën 1 ose 2 sulmues rrace.
I kënaqur me merkaton e janarit? Po si të jem i kënaqur? Kanë ardhur dy lojtarë që erdhën me bujë te Partizani dhe nuk po luajnë. Mos të bëjmë gabimet e viteve të kaluara, që morëm lojtarë të paguar shumë mirë dhe nuk bënë asgjë. Ilir Daja dhe drejtori Rama duhet të dalin dhe të thonë Hasani dhe braziliani nuk janë në formë dhe do i presim vitin tjetër. Po më çudit kjo, kanë ardhur me bujë dhe nuk po luajnë.
Unë jam tifoz i futbollistëve në Shqipëri. Lojtarët që vijnë nga jashtë duhet të bëjnë diferencën. Duhet të jenë disa herë më të mirë se lojtarët tanë. Po të jenë të barabartë nuk kemi për çfarë i duam. Nuk janë as për të mirën e futbollit tonë, as të Partizanit. Kjo është ajo që ne kur kemi ikur jashtë shtetit kemi bërë diferencën dhe na kanë pranuar e na kanë trajtuar më mirë se lojtarët e vetë. Por kemi dhënë 120%. Kur shikon lojtarë të huaj që paguhen shumë mirë dhe nuk bëjnë diferencën në kampionatin tonë, për çfarë duhet të flasim tjetër? Më mirë i besoj akademisë, që më dhimbset kur investojnë prindërit e tyre dhe janë lojtarë që edhe e meritojnë, e vijnë lojtarë të huaj pa pikë CV-je“, ka thënë Edmond Dosti./Halit Delibashi-Sport Ekspres/