Kanë përfuduar edhe dy supersfidat e orës 16:00 në Kategorinë Superiore. Situata është përmbysur në pak javë për Vllazninë, e cila është mposhtur 1-0 nga Teuta dhe tani i sheh durrsakët vetëm një pikë larg. Rezultat pozitiv ka marrë edhe Laçi i Shpëtim Duros, që ka triumfuar në transfertën me Kukësin në shifrat 1-2. Kurbinasit ngjiten në vendin e dytë së bashku me Teutën në kuotën e 40 pikëve. Në përfundim të dy takimeve vetë protagonsitët kanë dhënë intervistat e tyre për “Gol pas Goli” në “Supersport”.
Mirel Josa (Kukësi): “Në momentin më të mirë na goditi ajo penallti e Laçit. Ne pësuam gol nga hiçi. Një vendosje jo e mirë e jona. Kjo ishte një situatë që Laçi e shfrytëzoi. Duhet të kemi parasysh se ana psikologjike e skuadrës e ngre vetë lojtari, stafi teknik që komunikon me to. Nuk është se stafi teknik pati ndonjë reagim të keq karshi lojtarit në momentin e pësimit të golit. Janë momente që lojtarët duhet ti kapërcejnë vetë. Është më tepër te personaliteti që kanë këta futbollistë. Futbollisti i mirë dhe me vlera luan siç kemi rastin e Tsintdzade, që ka vetëm një muaj dhe luan futboll shumë cilësor”.
Shpëtim Duro (Laçi): “Këtë kampionat mund ta humbe vetëm Vllaznia. Me ato rezultate dhe me ato ndeshje që po bënte. Megjithatë do të jetë në 4-shen e skuadrave që do luftojnë deri në fund. Unë nuk kam qenë në pozita të barabarta me trajnerët e 3 skuadrave që luftojnë për titull kampion. E kam nisur me 10 pikë minus. Jemi skuadra më e mirë te këto skuadrat e para, këtë e tregojnë edhe rezultatet. Fitova titullin e parë te Skënderbeu? Skënderbeu bëri histori, por ishte shumë e vështirë të shpallej kampion për herë të parë. Pastaj ishte skuadra më e mirë dhe iu bë rruga autostradë. Shpresoj që këtë rrugë ta vazhdojë edhe Laçi”.
Edi Martini (Teuta): “Brdariç tha që ishim teatral? Ai ka të drejtën e tij, është mendimi i tij. Ndoshta në minutat e fundit, ngaqë u dogjëm me Kukësin ishte çështje besimi që na duheshin patjetër pikët. Nuk mendoj se ka pasur simulime gjithsesi. Por jam i sigurt që të njëjtën lojë do të kishte bërë edhe Shkodra po të ishte në avantazh. Pjesa e parë ishte e mirë, kishim rastet tona. Ndërsa në pjesën e dytë dua ti bëj komplimenta Vllaznisë, luajti mirë dhe na vuri në vështirësi. Ishin 3 pikë shumë të rëndësishme. Një barazim ose një humbje e jona sot dhe Vllaznia na nxirrte nga shinat. Është një luftë e fortë. S’ka ndeshje të lehta më. Ashtu si Partizani barazoi në Fier sot, që në letër dukej e lehtë”.
Tomas Brdariç (Vllaznia): “Sot ne humbëm ndeshjen 1-0, sepse bëmë një gabim, një top të humbur në zonën tonëë. U ndëshkuam nga një pasim i gabuar. Në pjesën e dytë kishim më tepër kontroll. Bëmë disa sulme të rrezikshme. Ky është fati. Pas ndeshjesh mund ta analizosh ndeshjen si të duash. Ne i japim lojtarëve mundësinë të luajmë. Nëse do kishim fat do e ndryshonim rezultatin. Goditëm traversën dhe goditja me kokë e Sisesë ishte shumë afër. Duhet të punojmë dhe ti rikthejmë lojtarëve besimin, sepse na duhet për ndeshjet e tjera. Për arbitrin ishte sot ndeshje shumë e vështirë. Sjelljen teatrore nuk e kam parë asnjëherë në jetën time. Ky është një sport burrash dhe kur i prekje nuk e di si rrëzoheshin.“./Halit Delibashi-Sport Ekspres/