Interesimi më i mirë vjen për Elseid Hysajn, mbrojtësin shkodran që është pjesë e Napolit. Presidenti De Laurentis kërkon që etapa e këtij futbollisti të marrë fund me skuadrën italiane për t’i lënë më shumë hapësirë të rinjëve. Ndërkohë edhe pretendimet për rinovimin nga ana e lojtarit të Kombëtares e kanë ftohur edhe më shumë marrëdhënien.
Në këto kushte, Hysaj duhet të gjejë një skuadër të re për sezonin e ardhshëm. Mes shumë emrave të përmendur si destinacioni i radhës për shkodranin, vjen edhe interesimi i bujshëm. PSG po kalon një krizë të lehtë financiare dhe duke marrë parasysh rinovimin me kosto të majme që do të bëhet për Mbapen, po kërkon gjithmonë e më tepër afrimet me parametra zero.
Leonardo ka kërkuar fillimisht Hector Bellerin, por çmimi prej 35 milionë paundësh e ka larguar edhe më tepër. “Corriere del Mezzogiorno” ka raportuar se Leonardo ka nisur bisedimet me menaxherin e Hysajt, Giufredin. Në këtë moment palët janë ende duke komunikuar me njëri-tjetrin, ndërsa ajo që pritet është propozimi i fundit nga gjigandët francez që vuajnë ende largimin e Thomas Meunier te Dortmundi. /Sport Ekspres/