“Më shumë emocione te Tirana se te Legia”, rrëfimi i Muçit mes dëshirave: Seria A dhe Kombëtarja

Ernest Muçi ka debutuar menjëherë te Legia e Varshavës teksa u hodh në fushë për 45 minuta kundër Gornik. Ish-sulmuesi i Tiranës ka fituar besimin e plotë të drejtuesëve polak që kanë nisur ta thërrasin si Mesi. Në një intervistë për “Supersport”, Muçi ka treguar edhe dëshirat e tij, teksa kërkon që të luajë në Serinë A dhe që të vesh fanellën e Kombëtares.

Transferimi dhe debutimi në kampionat? “Transferimin e kam përjetuar shumë mirë me bisedimet që zgjatën rreth një muaj. Ishte besim shumë i madh nga ana e trajnerit që luajta për 45 minuta. Jam shumë i lumtur që debutova dhe që mora fitoren.”

“Ofertat i kam shqyrtuar me familjen time dhe më pas vendosëm për transferimin te Legia. Këtu e ndjek pak presionin pasi klub të plotëson çdo kusht. Skuadra më ka pritur mirë dhe jam bërë menjëherë pjesë e grupit”.

Ish lojtarët shqiptarë te Legia kanë dështuar? “Nëse stërvitesh mirë mund të luash pa problem dhe nuk e shikoj aspak problem këtë gjë”.

Je gati të heqësh dorë nga jeta e natës për t’u stërvitur si profesionst? “E kam filluar që 16 vjeç dhe nuk jam tip që dal. Siç kam qenë do të jem edhe këtu pasi dua të bëj krenar familjen time”.

Klauzola 5 milionë euro nga Legia? “Nuk i di këto shifra, por besoj se pas dy sezonesh do të bëj mirë te kjo skuadër.Këto ndeshje që kanë ngelur mendoj se do të shërbejnë për t’u ambientuar. Nga sezonin tjetër do mundohem të bëj maksimumin me gola dhe asiste. Skema? Nuk e kam problem dhe u futa sulmues dhe trajneri e di që nuk kam pozicion fiks, por luaj në fazën sulmuese. I vetmi që ka luftuar për mua është familja ime dhe menaxheri im”.

Emocionet më shumë me Tiranën apo me Legian? “Kisha më shumë te Tirana pasi isha edhe më i vogël”.

Nëse kthehesh në Shqipëri? “Nuk e di se çfarë do të sjelli e ardhmja, por shpresoj të jetë larg kjo ditë dhe unë të luaj shumë kohë jashtë”.

Kampionati që ëndërron? “Kam objektiv të luaj në Serie A dhe kjo nuk është ëndërr, por objektiv personal”.

Kombëtarja A? “Shpresoj të marrë një ftesë sa më shpejt. Nëse jo do të mundohem të luaj sa më mirë në skuadrën time dhe të marrë ftesën”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *