Mbërritja e Reinas në Lazio nuk ishte fitimprurëse për portierin shqiptar Thomas Strakosha, të cilit iu premtua se do të merrte eksperiencë nga spanjolli. Në vetëm disa javë, Pepe Reina eklipsoi gardianin kuqezi duke e lënë atë në stol për shumë ndeshje radhazi dhe tashmë duket se gjërat mes Strakoshës dhe klubit të Lazios nuk po shkojnë mirë. 25 vjeçari ka një kontratë me klubin e cila skadon në 2022, megjithatë lamtumira mund të vijë më shpejtë.
Sipas medias italiane Sky, menaxheri i lojtarit ka takuar përfaqësuesit e skuadrës së Dortmund, në mënyrë që të arrihet një transfertë e tij në Gjermani. Strakosha do të zëvendësonte portierët e Dortmundit, Roman Burki dhe Marvin Hitz të cilët kanë bërë gafa trashanike dhe kanë pësuar shumë gola. Edhe vetë portieri shqiptar është shprehur i hapur ndaj kësaj tratative, teksa disa ditë më parë shprehu dëshirën për të luajtur tek Dortmundi.
“Mendoj se Borusia Dortmund është një klub i shkëlqyer. Ka në përbërje lojtarë të rinj dhe mjaft të talentuar”- ishin fjalët e Strakoshës disa ditë më parë në një intervistë. Megjithatë asnjë gjë nuk është e sigurtë, pasi drejtuesit e Dortmundit kanë kontaktuar dhe me portierin e Fiorentinës, Dragovski, të cilit i mbaron kontrata në vitin 2023. /Elio Hajdari-Sport Ekspres/